Gjykata Kushtetuese rrëzon ligjin për tatimin për profesionet e lira
Gjykata Kushtetuese ka rrëzuar ligjin për tatimin e profesioneve të lira. Vendimi u mor sot (27 qershor) me votën e shumicës së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe u bë publike nga kryetarja Holta Zaçaj.
Ligji për tatimin e profesioneve të lira ishte dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike, ekspertët e licencuar, kontabilistët dhe avokatët, të cilët kërkonin shfuqizim e pjesshëm të ligjit me argumentin se është diskriminues, rëndon shtresën e mesme dhe nuk është në përputhje me Kushtetutën.
Sipas ankesës ndaj këtij ligji tatimi i profesionistëve ka mbyllur qindra biznese, cenon sigurinë e bizneseve dhe do të shtrenjtojë shërbimet që ofrojnë.
Referuar argumentimit të tyre, pala paditëse ka shpjeguar se nuk mund të krahasohen profesionistët e lira me bizneset tregtare pasi nuk e kanë të garantuar fitimin.
Në Shqipëri janë 25 mijë profesionistë që preken nga ligji që hyri në fuqi më 1 janar të këtij viti, ku profesionistëve iu kërkohej të paguanin 15% kush ka fitim deri 14 milionë lekë dhe 23% kush fiton mbi këtë shumë.