Gjykata Kushtetuese shfuqizon pjesërisht ligjin për trajtimin e veçantë të studentëve të mjekësisë

Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht kërkesën e studentëve të Fakultetit të Mjekësisë, lidhur me shfuqizimin e disa neneve të ligjit për trajtimin e veçantë të studentëve në këtë fushë, që i detyron ata të punojnë deri në 5 vite në Shqipëri pas studimeve.

Gjykata vendosi shfuqizimin e neneve që përcaktojnë afatet 2, 3 dhe 5 vjeçare të punësimit me detyrim dhe marrjes së diplomës.  Në vendimin e marrë këtë të enjte (25 janar), Gjykata argumenton se dispozitat e kundërshtuara sjellin kufizim të të drejtave për arsim dhe punësim, të garantuara nga Kushtetuta.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, afati 5-vjeçar i parashikuar nga ligji rezulton më i ashpër se sa nevoja për të përmbushur objektivin legjitim të shtetit për të garantuar kujdes shëndetësor për qytetarët. Po ashtu u vendos edhe rishikimi i afateve 3 dhe 2-vjeçare, pasi, nisur nga përvoja e shteteve të tjera, ky afat nuk duhet të kalojë gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve.

Gjykata Kushtetuese e mbledhur sot, më 25.01.2024, vlerësoi se dispozitat e kundërshtuara sjellin kufizim të të drejtave për arsim dhe punësim, të garantuara nga nenet 49 dhe 57 të Kushtetutës. Kufizimi është vendosur me ligj dhe për interes publik, i cili lidhet me detyrimin e shtetit për të garantuar kujdes shëndetësor ndaj shtetasve, të parashikuar nga neni 55 i Kushtetutës. Megjithatë gjatë procesit nuk u provua se kufizimi është proporcional në drejtim të afateve dhe kohëzgjatjes së shlyerjes së detyrimeve për punësim, pasi afati 5-vjeçar i parashikuar nga neni 4 i ligjit rezulton më i ashpër se sa nevoja për të përmbushur objektivin legjitim. Duke u nisur nga premisa që afati 5-vjeçar nuk është proporcional dhe duke marrë në konsideratë eksperiencën e vendeve të tjera, ku ky afat nuk tejkalon gjysmën e kohëzgjatjes së studimeve, u gjykua që  të rishikohen edhe afatet e tjera 3-vjeçare dhe 2-vjeçare të përcaktuara në të njëjtin nen”, thuhet në vendim.

Po ashtu, sipas vendimit të Gjykatës, në nenin 6 të ligjit mungojnë kriteret objektive të punësimit me prioritet.

Në kuadër të testit të proporcionalitetit, Gjykata ka konstatuar, gjithashtu, se neni 6 i ligjit ka ometim ligjor. Ometimi ka të bëjë me mungesën e kritereve objektive të punësimit me prioritet, trajtimin financiar në kuadër të sigurimit të mjeteve të nevojshme të jetesës, sipas nenit 49 të Kushtetutës, si dhe përllogaritjen e periudhës në pritje në kohëzgjatjen e detyrimit për punësim. Gjykata e analizoi çështjen edhe në këndvështrimin e parimit të sigurisë juridike dhe të barazisë para ligjit”, thuhet në vendim.

Gjykata Kushtetuese i kërkon Kuvendit që brenda 3 muajve të miratojë ndryshimet e nevojshme ligjore.

Ligji për trajtimin e veçantë të studentëve të mjekësisë, që i detyron ata të punojnë deri në 5 vite në Shqipëri pas studimeve në mënyrë që të pajisen me diplomë, u prit me kundërshti të ashpra nga vetë studentët. Ata u ngritën në protesta duke e konsideruar atë të padrejtë dhe duke kërkuar shfuqizim të këtij ligji.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.