Gjykata Ndërkombëtare i kërkoi të shmangë gjenocidin, Netanjahu: Do luftojmë për fitore!
Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë (GJND) urdhëroi të premten Izraelin të ndalë veprimet ushtarake, të cilat mund të shkojnë në kufijtë e gjenocidit në Gazë.
Afrika e Jugut kishte kërkuar nga GJND-ja që Izraeli të dënohet për gjenocid ndaj palestinezëve të Gazës, nga të cilët mbi 26 mijë kanë mbetur të vrarë prej 7 tetorit, kur militantët e Hamasit u ngritën në revoltë për “padrejtësitë” e Tel-Avivit.
Gjykata tha se nuk ka një vendim final nëse hakmarrja e Izraelit ndaj Hamasit dhe viktimat e luftës mund të përkufizohen si gjenocid, por renditi një sërë pikash të cilave Izraeli duhet t’u përmbahet për të mirën e palestinezëve të pafajshëm.
“15 vota me 2: Shteti i Izraelit duhet, në përputhje me detyrimet nga Konventa për ndëshkimin e Krimeve të Gjenocidit, në lidhje me palestinezët në Gazë të marrë të gjitha masat që mundet të parandalojë marrjen e të gjitha akteve që parashikon neni 2 i Konventës, veçanërisht: a) vrasjen e pjesëtarëve të grupit; b) shkakton dhunë serioze fizike ose mendore te pjesëtarët e grupit; c) shkaktimin me qëllim ndaj grupit metoda që qëllimisht kërkojnë shkatërrimin e tij fizik në tërësi ose pjesërisht; dhe d) imponimin e masave që synojnë të parandalojnë lindjet brenda grupit.
15 vota me 2: Shteti i Izraelit duhet të sigurojë menjëherë që ushtria të mos kryejë asnjë nga aktet e cituara më sipër.
16 vota me 1: Shteti i Izraelit duhet të marrë të gjitha masat në fuqinë e vet për të parandaluar dhe ndëshkuar nxitjet direkte dhe publike për të kryer gjenocid në lidhje me pjesëtarët e grupit palestinez në Rripin e Gazës.
16 vota me 1: Shteti i Izraelit duhet të marrë masa të menjëhershme dhe efektive për të garantuar dhënien e masave të nevojshme dhe urgjente, të shërbimeve bazike dhe ndihmës humanitare për të adresuar kushtet e këqija të jetesës që hasin palestinezët në Rripin e Gazës.
15 vota me 2: Shteti i Izraelit duhet të marrë masa efektive për të parandaluar shkatërrimin dhe për të garantuar ruajtjen e provave që lidhen me pretendimet për akte që parashikon Neni 2 dhe 3 i Konventës për Parandalimin dhe Ndëshkimin e Krimeve të Gjenocidit kundër pjesëtarëve të grupit palestinez në Rripin e Gazës.
15 vota me 2: Shteti i Izraelit duhet t’i raportojë Gjykatës të gjitha masat që janë marrë për të zbatuar këtë urdhër një muaj nga nxjerrja e urdhrit,” argumentoi kryetarja e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, Joan E. Donoge (o. Donoghue).
Në reagimin e tij të parë, kryeministri Benjamin Netanjahu refuzoi atë që e quajti “tentativë” për t’i mohuar vendit të tij të drejtën për t’u mbrojtur. Ai tha se do e vazhdojë betejën me Hamasin.
“Zotimi i Izraelit për të respektuar ligjin ndërkombëtar është i palëkundur. Po aq i palëkundur është zotimi ynë i shenjtë për të vazhduar mbrojtjen e vendit dhe popullit tonë. Tentativa e papranueshme për t’i mohuar Izraelit këtë të drejtë themelore është diskriminim i pastër kundër shtetit hebre, ndaj u rrëzua me të drejtë. Akuza për gjenocid ndaj Izraelit nuk është vetëm false, por është e papranueshme dhe njerëzit normalë duhet ta refuzojnë. Lufta e Izraelit është kundër terroristëve, jo kundër civilëve palestinezë,” deklaroi kryeministri izraelit.
Reagimet nga Hamasi, Afrika e Jugut
Pala në luftë me Izraelin, Hamasi, e përgëzoi vendimin e GJND-së si “një zhvillim i rëndësishëm që kontribuon në izolimin e Izraelit dhe ekspozimin e krimeve të tij në Gazë,” tha zyrtari i lartë i grupit, Sami Abu Zuhri. “Ne bëjmë thirrje që pushtuesi të detyrohet t’i përmbahet vendimeve të gjykatës,” shtoi ai.
Për Afrikën e Jugut, si palë paditëse, vendimi i GJND-së ishte një “fitore historike”.
Ndërsa ministri izraelit për Sigurinë Kombëtare, Itamar Ben Gvir, e qortoi qëndrimin e Gjykatës Ndërkombëtare, duke e akuzuar trupën gjykuese për “antisemitizëm”.
“Vendimi i gjykatës antisemite në Hagë provon atë që dihej: Kjo gjykatë nuk kërkon drejtësinë, por persekutimin e popullit hebre. Ata heshtën gjatë holokaustit dhe sot vazhdojnë me hipokrizinë duke e bërë edhe më keq. Vendimet që rrezikojnë ekzistencën e Shtetit të Izraelit nuk duhen marrë parasysh,” shtoi Ben Gvir.