Gjykata Speciale arreston ish-zv.kryeministrin, ish-komandantin dhe ish-luftëtarë të UÇK
Gjykata Speciale ka realizuar të enjten një seri arrestimesh, duke pasur në objektiv persona të angazhuar në luftën e fundviteve ’90 mes Kosovës dhe Serbisë.
Kryetari i Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (OVL-UÇK), Faton Klinaku, konfirmoi për mediet lokale arrestimin e ish-zëvendëskryeministrit Hajredin Kuçi dhe të ish-kryetarit të Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë (AKI), Bashkim Smakaj.
Pak muaj pas lirimit me kusht, Gjykata Speciale arrestoi më herët ish-kryetarin e Malishevës, Isni Kilaj. Një orë më vonë para banesës së tij u ndalua edhe Fadil Fazliu, luftëtar i UÇK-së dhe vëlla i dy heronjve të kombit.
Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) përmes një njoftimi bëri me dije se operacionet janë në vazhdën e një procesi hetimor që përqendrohet në vepra penale “kundër administrimit të drejtësisë”.
Ndalimet e Kilajt dhe Fazliut që herët paradite u konfirmuan nga djemtë e tyre.
“Sot rreth orës 07:00 të mëngjesit është arrestuar babi. Nuk kemi informacione se pse ka ndodhë arrestimi prapë. E kanë dërguar në zyrat e EULEX-it për ta transferuar pastaj në Hagë,” tha Blend Kilaj për mediet lokale.
“Të nderuar miq, shokë, dashamirë dhe kolegë! Sot, paradite rreth orës 8:00 të mëngjesit para banesës së tij kanë arrestuar babain tim, Fadil Fazliun, luftëtarin e UÇK-së, vëllain e dy heronjve të kombit, Fahri e Bahri Fazliu. Me urdhër të Dhomave të Specializuara të Hagës është arrestuar dhe pritet të dërgohet për në Hagë. Ballëhapur, kokëlart dhe gjithmonë krenar me të kaluarën tonë të lavdishme!🇦🇱 Krenar me ty Bablok!” shkroi Fahri Fazliu në rrjetet sociale.
Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) u arrestua në nëntor të vitit të kaluar, pasi dyshohet nga prokurorët specialë se ka penguar “personat zyrtarë në kryerjen e detyrave” për drejtësi.
Kilaj u transferua në njësinë e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 3 nëntor 2023. Më 15 maj 2024, ish-kryekomunari u lirua, ndërsa në korrik ZPS-ja njoftoi se ka dorëzuar aktakuzën e ndryshuar.
Në Dhomat e Specializuara sot mbahet seanca gjyqësore me ish-krerët e UÇK-së: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi e Rexhep Selimi, të cilët vijojnë përballjen para trupit gjykues kundër akuzës që rëndon ndaj tyre për krime lufte. /Express, Koha, Telegrafi