Gjykatësja e Ilinoisit ndalon kandidimin e Trampit për zgjedhjet presidenciale
Një gjyqtare e shtetit të Ilinoisit urdhëroi të mërkurën ish-presidenti Donald Tramp (o. Trump) të mos marrë pjesë në garën paraprake të republikanëve për zgjedhjet presidenciale, për shkak të rolit të tij në trazirat e 6 janarit 2021 në Kapitol.
Gjykatësja e rajonit të Kukut, Trejsi Porter (o. Tracie) citoi shqetësimin e votuesve të Ilinoisit, duke argumentuar se ish-presidenti do të shkualifikohet nga votimi paraprak i parashikuar më 19 mars dhe nga zgjedhjet e përgjithshme më 5 nëntor për shkak të shkeljes së klauzolës rreth rebelimit ndaj SHBA-së, në nenin 14 të Kushtetutës amerikane.
Vendimi i gjykatëses nuk ka marrë ende formën finale, pasi ish-presidenti Tramp pritet ta apelojë atë, ndërsa gjykatësja tha se pret që të shprehet edhe Gjykata e Lartë e vendit. Më 8 shkurt u mbajt një seancë në Gjykatën e Lartë rreth kësaj çështjeje.
Grupi “Fjala e Lirë për Njerëzit”, i cili ndërmori përpjekjet për shkualifikimit e ish-presidentit nga fletëvotimi në Ilinois, e vlerësoi vendimin e gjykatëses Porter si një “fitore historike”.
Një zëdhënës i z. Tramp e quajti “një vendim antikushtetues, të cilin do ta apelojmë shpejt”.
Vendime të ngjashme kanë marrë edhe shtetet e Kolorados dhe Mejnit, duke u bazuar në shkeljet e konstatuara të Kushtetutës, por vendimet janë apeluar nga ish-presidenti Tramp.
Seksioni i 3-të ndalon një person me ofiq publik që është betuar se do të mbështesë SHBA-në dhe më pas është “angazhuar në kryengritje ose rebelim kundër të saj ose ka ndihmuar apo përkrahur armiqve e vendit”.
Mbështetësit e z. Tramp më 6 janar 2021 sulmuan policinë dhe mësynë në Kapitol për të parandaluar Kongresin që të certifikojë fitoren e demokratit Xho Bajden (o. Joe Biden) në vitin 2020. Vetë ish-presidenti mbajti një fjalim para mbështetësve, duke u thënë atyre të shkonin në Kapitol dhe të “luftonin si të çmendur”. /Reuters