Gjyqi në Hagë, Zyrapi: Shtabi i Përgjithshëm i UÇK s’kishte kapacitetet e nevojshme
Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk i kishte kapacitetet e nevojshme logjistike dhe profesionale kur përballej me ushtrinë jugosllave në fundvitet ’90.
Detaji u bë i ditur gjatë dëshmisë në Hagë të Bislim Zyrapit, i cili përpara tij kishte prokurorët dhe ish-krerët e UÇK-së të akuzuar për krime lufte: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi.
“Në përgjithësi, drejtoritë edhe në këtë kohë kanë qenë të paplotësuara, jo veç njëra, dy e tri. Shtabi i Përgjithshëm nuk ka arritur t’i plotësojë të gjitha kapacitetet e nevojshme. Kemi shkuar me ato çka kemi pasur.
… gjithnjë probleme me furnizimin, resurset e të gjitha. Në fakt, normale duhet të ishte edhe aspekti i profesionalizimit të këtyre drejtorive. Kur them profesionalizimit është edhe pjesa e trajnimeve dhe aftësimeve të njësive. Po, nuk kemi arritur t’i bëjmë,” tha z. Zyrapi.
Ish-zyrtari i lartë i AAK-së Zyrapi iu bashkua UÇK-së në pranverën e vitit 1998, duke qenë shef i Shtabit të Përgjithshëm dhe ish-pjesëtar i armatës jugosllave, boshnjake e po ashtu edhe në atë të Kosovës.
Ai u paraqit në Hagë në fillim të javës për të hedhur dritë mbi rolin dhe kompetencat e drejtorive vartëse, si dhe si trajtoheshin të burgosurit e luftës.