Gjysmëfinalet e “Bilbilave”, në këtë fazë angazhohen 80 fëmijë që do të garojnë mes tyre për finalen
“Bilbilat”, konkursi i talenteve të vegjël në muzikë zhvilloi natën e tij të parë gjysmëfinale. Ajo u zhvillua në teatrin “Migjeni” me pjesëmarrjen e spektatorëve shkodranë si dhe jurisë së përbërë nga Bardhyl Hysa, Kolec Gajtani, Françeska Pjetri, Laorjan Ejlli dhe Savjana Vjerdha.
80 fëmijë të talentuar janë pjesë e kësaj faze të ndarë në tre grupmosha: ato nga klasa e parë deri në të tretën, nga e katërta në të gjashtën dhe nga e shtata në të nëntën.
Përgjegjësi i artit, Ermir Zoga, shprehet se edhe në këtë edicion nuk mungojnë elementët e rinj që premtojnë për të ardhmen.
36 këngë ishin pjesë e interpretimit në këtë natë të parë gjysmëfinale, ndërkohë që do të zhvillohen edhe dy të tjera. Njëjtë si këngëtarët, edhe prezantuesit e vegjël ndihen mirë në këtë përvojë.
“Bilbilat e vegjël të Shkodrës këndojnë” është një nga aktivitetet tradicionale që organizon QKF “Kujtim Alija”. Edicioni i 29-të i tij mbështetet nga Bashkia Shkodër dhe ZVA Shkodër.