“Godita dhe shënova”, Muçi nuk fshihet: Më mirë ndihem si sulmues i dytë
Ernest Muçi ka shpalosur talentin e tij me atë goditje vdekjeprurëse që solli dhe golin e dytë për kuqezinjtë në atë fitore 2-0 të arritur në “Air Albania” në miqësoren me Bullgarinë. Sulmuesi kuqezi nuk e fsheh kënaqësinë e fitores por dhe të realizimit të golit, ndërkohë shprehet se mund të bëjë akoma më mirë.
“Çdo futbollist mundohet të japë më të mirën, duhet të jap akoma më shumë, për klubin dhe Kombëtaren, dua të jap 100%. Në nëntor janë ndeshjet më të rëndësishme, shpresoj të bëj pjesë në skuadër dhe të jap më të mirën. Duhet të marr më shumë përsipër. Shpresoj që në ndeshjet e ardhshme të bëj akoma më mirë”.
“Goli? Po mundohesha të gjeja pozicionin e duhur. Varet dhe nga situate, por unë isha në pozicionin e duhur, godita dhe shënova”.
“Pozicioni në fushë? Më mirë ndihem si sulmues i dytë. Në klub është një tjetër taktikë, mundohem të mësohem me mënyrën se si luan Kombëtarja. Ndihem mirë në çdo pozicion me Kombëtaren, mjafton që të luaj dhe të jap maksimumin”.