Goditi deputetin Vullnet Sina, PS kallëzon në SPAK demokratin Bledjon Nallbati
Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka kallëzuar në SPAK, deputetin e Partisë Demokratike Bledjon Nallbatin.
Kallëzimi i deputetëve të grupit parlamentar socialist ndaj deputetit Nallbati, vjen për dhunën e ushtruar nga ky i fundit ndaj deputeti Vullnet Sina, në seancën plenare të 30 tetorit.
PS kërkon nisjen e ndjekjes penale ndaj Nallbatit për shkak të konsumimit të elementëve të veprës penale të “Goditjes për shkak të detyrës”.
“Provohet qartë se 4 elementët përbërës të veprës penale “Goditjes për shkak të detyrës” janë plotësuar në mënyrë kumulative, për këto arsye sa përshkruam më sipër, ka të dhëna të mjaftueshme për të filluar ndjekjen penale ndaj Bledjon Nallbati për shkak të konsumimit të veprës penale të “Goditjes për shkak të detyrës” parashikuar nga neni 237 i Kodit Penal”, thuhet në kërkesën e grupit parlamentar socialist.
Kreu i grupit parlamentar, Bledi Çuçi deklaroi se qëndrimi i PS është i qartë dhe nuk do tolerojnë asnjë akt dhune.
Çuçi i bëri thirrje organeve ligjzbatuese t’i shkojnë deri në fund ngjarjes në Kuvend.
“Sot, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste firmosa kallëzimin penal për deputetin Bledjon Nallbati për dhunën fizike të ushtruar në seancën e fundit ndaj deputetit Vullnet Sina.
Qëndrimi ynë është i qartë. Nuk do te tolerojmë asnjë akt dhune dhe refuzojmë këdo që e konsideron dhunën si mundësi për të shprehur mospajtimin. Ftojmë organet ligjzbatuese të bëjnë punën e tyre dhe t’i shkojnë deri në fund ngjarjes së 30 tetorit në Parlament”, tha Çuçi.
Seanca plenare u shoqërua me tensione të forta, kjo për shkak të dhunës së ushtruar nga deputeti Nallbati kundrejt kolegut socialist, duke sjellë kështu ndërprerjen e punimeve të Kuvendit.
Një ditë më parë (31 tetor), PS i dërgoi një kërkesë Kryeparlamentares Lindita Nikolla për marrjen e masave disiplinore ndaj 7 deputetëve të PD-së.
Komisioni i Etikës vendosi më pas, përjashtimin me 10 ditë nga punimet e Kuvendit deputetët e ‘Rithemelimit’: Bledion Nallbati, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi dhe Gazment Bardhi. Me 3 ditë është përjashtuar edhe deputeti Saimir Korreshi.