Golashënuesit zikaltër në Champions, Lautaro synon të thyejë rekordin e Adrianos
Pasi u zhbllokua në kampionatin italian, Lautaro Martinez iu rikthye golit edhe në Evropë, pasi gjeti rrugën e rrjetës në fitoren 4-0 të zikaltërve kundër Crvena Zvezdës mbrëmjen e djeshme në Ligën e Kampioneve.
Sulmuesi argjentinas hyri në lojë në pjesën e dytë dhe shënoi golin e tij të 13-të në Champions League me fanellën e Interit, duke barazuar Julio Cruz (me të cilin ndan një tjetër rekord, atë të shënimit radhazi prej 6 sezonesh në Champions League me Interin).
Në kuotën e 13 golave në Champions, “Demi” i vë syrin vendit të parë në renditje, që mbahet nga Adriano. Braziliani është golashënuesi më i mirë i Interit në Champions me 14 gola (në 26 ndeshje të luajtura). Vetëm 1 gol larg këtij objektivi qëndron kapiteni aktual i Interit, që me shumë mundësi do ta thyejë këtë rekord këtë sezon.