Gonxhe në krye të MEKI, Rama përcakton fushën e përgjegjësive për ekonominë, kulturën, inovacionin
Këshilli i Ministrave miraton fushën e përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MEKI).
Emërimi i Blendi Gonxhes në krye të kësaj ministrie, solli një sërë ndryshimesh sa i përket jo vetëm atyre në kabinetin qeveritar, por edhe sa i përket fushës së përgjegjësisë së Ministrisë së Ekonomisë dhe Financave, e cila tashmë është riformatur duke qenë vetëm Ministri e Financave.
Në bazë të ndryshimeve të propozuara nga kryeministri Edi Rama, ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, do të ushtrojë veprimtarinë e saj në fushën e përgatitjes dhe zbatimit të politikave të qeverisë në sferën makro-dhe mikroekonomike, të tregtisë dhe të sipërmarrjes për ndërtimin e një modeli të ri ekonomik, me synim garantimin e një rritjeje ekonomike të lartë e të qëndrueshme në Shqipëri.
Ministria do të miradministrojë burimet, di dhe do të hartojë dhe zbatojë politika të integruara ekonomike në sektorët parësorë të ekonomisë, konvergimit ekonomiko-social të rajoneve të vendit, përmirësimit të klimës e të shërbimeve për biznesin e qytetarin.
Gjithashtu, ajo do të promovojë dhe orientojë drejt risive ndërkombëtare duke maksimizuar suksesin e investimeve.
MEKI do të komandojë edhe instrumentet administrative ekzekutive të zgjidhjes së konflikteve shtet-privat, si dhe të garantojë të drejtën për arsim dhe formim profesional, punësim të sigurt e të denjë.
“MEKI harton dhe zbaton politikat e qeverisë në fushën e zhvillimit dhe promovimit të kulturës, trashëgimisë kulturore, materiale dhe shpirtërore, të rritjes së dialogut kulturor, integrimit kulturor në familjen evropiane e botërore, në përputhje me programin e qeverisë. Synon dhe mundëson stimulimin e aktiviteteve inovative, të cilat do të rrisin produktivitetin ekonomik dhe institucional përmes zhvillimit të teknologjisë dhe bashkëpunimit efikas”, thuhet në vendimin e qeverisë, që publikohet nga rtsh.al.
MEKI do të identifikojë koncepte, procese novatore dhe teknika të reja, si dhe do të kryejë studime dhe analiza krahasuese për politikat në nivel rajonal e botëror, për të vlerësuar të dhënat në kuadër të hartimit apo zbatimit të politikave qeveritare, me qëllim hartimin e strategjive që mundësojnë zbulimin e mundësive të reja të inovacionit.
MEKI, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, harton, bashkërendon dhe zbaton politikat shtetërore që synojnë standarde të larta të shërbimeve publike, të ofruara për ushtrimin e të drejtave të qytetarëve dhe përmirësimin e jetesës, lehtësimin e ofrimit të shërbimeve publike, sigurimin e cilësisë dhe përballimin e tyre.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit ushtron veprimtarinë në këto fusha përgjegjësie shtetërore, në përputhje me legjislacionin përkatës.
Fusha ekonomike
Lidhur me fushën e ekonomisë MEKI ushtron veprimtarinë sa i përket strehimit, punësimit, sigurimeve shoqërore, arsimin dhe formimin profesional, marrëveshjet e tregtisë së lirë, nxitjen e investimeve.
Përveç kategorive të mësipërme, MEKI ushtron veprimtari edhe në fushën e administrimit të pronës shtetërore, mbështetjen e partneritetit publik privat, regjistrimin dhe licencimin e operatorëve ekonomikë, shërbimin e akreditimit dhe standardizimit, mirëmbajtjen, kalibrimin dhe inspektimin e mjeteve matëse, pronësinë industriale, mbrojtjen e pronësisë intelektuale, mbrojtjen e konsumatorëve, zonat ekonomike dhe teknologjike, ndihmën shtetërore dhe garancitë shtetërore.
Fusha e Kulturës
Lidhur me fushën e kulturës, MEKI harton dhe bashkërendon punën për politikat në fushën e artit e të kulturës nëpërmjet edukimit të popullsisë, rijetësimit të vlerave e të trashëgimisë kulturore, nxitjes së investimeve, publike dhe private në këta sektorë, monitorimit të mënyrës së përdorimit të fondeve publike në mbështetje të zhvillimit kulturor, edukimit në kulturë, mbrojtjes së trashëgimisë kulturore, ruajtjes dhe vijimësisë së traditës së harmonisë fetare në kulturën shqiptare, si dhe të bashkëpunimit rajonal.
“MEKI harton politikat mbrojtëse dhe promovuese për trashëgiminë kulturore, materiale ose shpirtërore, si dhe krijimin e hapësirave të nevojshme ligjore e mbështetëse për ruajtjen dhe kultivimin e kulturës së shkruar, për krijimtarinë artistike në përgjithësi, si dhe për të promovuar arritjet e kulturës shqiptare e për të rritur konkurrencën e produktit shqiptar kulturor përtej kufijve. Gjithashtu, harton politika për ekzistencën e Shqipërisë, si një partner aktiv në organizatat ndërkombëtare, evropiane dhe rajonale, në fushën e artit e të kulturës dhe të trashëgimisë kulturore, nëpërmjet aderimit në institucionet përkatëse”, thuhet në vendim.
Nga ana tjetër MEKI udhëheq, programon dhe mbështet veprimtaritë kombëtare e ndërkombëtare, me qëllim identifikimin dhe zhvillimin e tendencave kulturore, artistike e letrare brenda vendit, si dhe përfshirjen e ballafaqimit të vlerave më të mira kombëtare me ato rajonale, si ato të trashëguara edhe ato bashkëkohore e krijimin e një hapësire dialogu mbarëshqiptar e të diversitetit kulturor.
“MEKI realizon regjistrimin, mbikëqyrjen dhe monitoron respektimin e të drejtave të autorëve dhe të drejtave të tjera të lidhura me to nga subjektet, personat fizikë/juridikë, privatë a publikë, përdorues të pronësisë letrare, artistike e shkencore. Zhvillon politika për nxitjen e investimeve për pasuritë kulturore, siguron mbështetje financiare nëpërmjet Fondit Kombëtar të Kujdesit për Trashëgiminë Kulturore, qendrat art e zeje në shkolla, si dhe për formimin në vazhdim për të licencuarit në pasuritë kulturore materiale”, thuhet në vendimin për fushën e përgjegjësisë shtetërore të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
Fusha e inovacionit
Lidhur me fushën e inovacionit, qeveria, nëpërmjet MEKI, synon dhe mundëson stimulimin e aktiviteteve inovative, të cilat do rrisin produktivitetin ekonomik dhe institucional përmes zhvillimit të teknologjisë informative dhe bashkëpunimit efikas.
Ajo identifikon koncepte, procese novatore dhe teknika të reja, kryen studime dhe analiza krahasuese për politikat në nivel rajonal e botëror për të analizuar të dhënat në kuadër të hartimit apo zbatimit të politikave qeveritare, me qëllim zhvillimin dhe hartimin e analizave strategjike, që mundësojnë zbulimin e mundësive të reja të inovacionit.
“MEKI orienton promovimin e inovacionit dhe të teknologjisë informative në shërbim të rritjes ekonomike dhe zhvillimit, zhvillimin e bashkëpunimit përmes programeve të trajnimit/ konsulencës, konsolidimin e fondit për shërbimet inovative për përkrahje të sektorëve zhvillimorë të ekonomisë, krijimin e mekanizmave institucionalë koordinues ndërmjet shkencës, sektorit privat dhe politikëbërjes.”, vijon vendimi.
Në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse, MEKI harton, zhvillon dhe monitoron, politikat shtetërore dhe strategjitë për sigurimin e standardeve në ofrimin e shërbimeve publike, rritjen e cilësisë së shërbimeve në çdo sektor publik, lehtësimin e ofrimit të shërbimeve publike, rritjen e efektivitetit të shërbimeve për të garantuar aksesin e qytetarëve në marrjen e shërbimeve publike.