Në takimin e parë të Komitetit të Përbashkët Konsultativ Socio-Ekonomik Evropian, ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato, theksoi se dialogu social luan një rol të rëndësishëm në përmirësimin e politikave sociale të punësimit në Shqipëri dhe rajonin e Ballkanin Perëndimor. Gonzato e lidh këtë dialog me shqetësimet e të rinjve, të cilët shpesh ndihen të pasigurt për të ardhmen e tyre profesionale, duke i shtyrë ata të mendojnë për emigrim. Kjo pasiguri, sipas ambasadorit, lidhet jo vetëm me mundësitë e punësimit, por edhe me problemet që burojnë nga punësimi informal.
“Dialogu social luan rol në shëndetin e Shqipërisë dhe është pjesë e rëndësishme e politikave sociale dhe të punësimit që janë edhe pjesë e grup kapitullit numër 3 që do të çelet shumë shpejt. BE-në e keni në krah për t’ju ndihmuar me punësimin dhe dialogun social, përmes planit të rritjes që adreson çështjet socio-ekonomike në Shqipëri por në Ballkanin Perëndimor në tërësi”, tha Gonzato.
Një tjetër shqetësim i shprehur nga ambasadori është korrupsioni, që mbetet një barrierë e madhe që pengon të rinjtë në realizimin e ëndrrave të tyre, duke theksuar nevojën për një sistem që bazohet tek merita dhe mundëson mundësi të barabarta për të gjithë.
“Të rinjtë shpesh janë të shqetësuar për të ardhmen dhe kjo sjellë dëshirën për të emigruar sepse kanë pasiguri për punën, kjo mund të vij edhe prej punësimit informal, nuk paguhen ditët kur nuk janë mirë me shëndet. Shqetësim tjetër është cilësia e arsimit. Por edhe korrupsioni, është pengesë e madhe për të rinjtë që të realizojnë ëndrrat. Mungon një sistem që bazohet tek merita. Na duhet një dialog social dhe domethënës”, u shpreh ambasadori.
Edhe kryenegociatorja për Integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, Majlinda Dhuka, theksoi rëndësinë e përparimit të lidhjeve ndërmjet Shqipërisë, Ballkanit Perëndimor dhe BE-së. Dhuka vuri në dukje se Shqipëria është gjithnjë e më afër BE-së në fushën e dialogut social dhe se vendet e rajonit kanë krijuar ura të forta bashkëpunimi me këtë komitet.
“Ky është një vend ku lidhjet mes BE-së, Shqipërisë dhe rajonit po fuqizohen gjithnjë e më shumë. Në lidhje me dialogun social ne jemi më pranë BE-së se në fusha të tjera, Shqipëria dhe disa vende nga Ballkani Perëndimor kanë krijuar një urë bashkëpunimi me Komitetin Ekonomiko-Social. Ne vlerësojmë shumë mbështetjen dhe bashkëpunimin e fondacioneve të BE në Shqipëri që sjellin trajnime dhe eksperiencën e duhur për tu bërë pjesë e BE-së. Shqipëria në vetvete po ecën përpara gradualisht në rrugëtimin e saj drejt BE-së dhe e njëjta gjë mund të thuhet edhe për vendet e tjera të rajonit. Po ecim para me aspiratën për t’u bërë pjesë në BE. Le të punojmë të gjithë për këtë perspektivë. Puna e sotme është dëshmi e kësaj pune aktive”, tha Dhuka.
Ajo theksoi mbështetjen e vazhdueshme nga fondacionet e BE-së në Shqipëri, të cilat ofrojnë trajnime dhe mundësi zhvillimi që do t’i ndihmojnë vendet e Ballkanit Perëndimor të përgatiten për anëtarësimin në BE. Kryenegociatorja tha se Shqipëria po përgatitet gjithnjë e më shumë për t’u integruar në tregun e punës të BE-së.
“Ne do të bëhemi shtet anëtar i BE-së dhe kjo do të sjellë me vete mundësi dhe sfida. Rruga drejt anëtarësimit është në vetvete një ndryshim thelbësor dhe i vërtetë. Vendet që janë bërë pjesë e BE-së kanë dëshmuar këtë transformim të madh ekonomiko-social duke rritur cilësinë e jetës dhe standardet për qytetarët e tyre. Sekreti qëndron që t’i paraprish ndryshimeve në mënyrë pozitive. Rajoni dhe Shqipëria janë vende me moshë të re, në kemi një treg pune të ri në moshë dhe kemi zell për të përqafuar ndryshimet teknologjike dhe mund të sjellim një kontribut shumë të mirë në treguan e punës së BE-së që lidhet me ekonominë digjitale”, tha ajo.
Dhuka shtoi se rruga drejt anëtarësimit do të sjellë përmirësime të rëndësishme për jetesën e qytetarëve.
“Ballkani Perëndimor dhe BE kanë një sfidë konvergjence, ne jetojmë në një situatë ku standardi i jetës është më i ulët se mesatarja e BE-së, por ka mekanizma për të trajtuar këtë çështje si plani i rritjes së BE-së dhe po na sjell këtë mundësi para se të bëhemi pjesë e saj. Disa programe të BE po vihen në zbatim në vendet tona. Fusha si dialogu social, punësimi dhe rinia janë parësore përmes disa programeve që rrisin aftësitë e të rinjve për integrimi e tyre sa më të mirë në tregun e punës së BE-së”, tha Dhuka.
Do të jetë Barcelona-Real Madrid finalja e këtij edicioni të Kupës së Mbretit në Spanjë.…
FIFA ka përditësuar renditjen e skuadrave kombëtare ditën e sotme. Shqipëria humbet një pozicion në…
Taksat e reja të njoftuara një ditë më parë (2 prill) nga presidenti amerikan Donald…
Kryeministri Edi Rama, gjatë fjalës së tij në takimin e dytë të nivelit të lartë…
Presidenti Bajram Begaj, është nisur këtë të enjte (3 prill) për në Sofje të Bullgarisë…
Është ndarë nga jeta në moshën 91- vjeçare, ikona e kinematografisë shqiptare Margarita Xhepa.Aktorja ka…
This website uses cookies.