Gonzato i dorëzon raportin Ramës: Bëni reformat që të arrini afatet për t’u integruar në BE
Ambasadori i Bashkimit Evropian në Tiranë, Silvio Gonzato i ka dorëzuar kryeministrit Edi Rama progres-raportin e Komisionit Evropian mbi ecurinë e reformave të Shqipërisë në rrugën drejt familjes evropiane.
Në fjalën e tij, Gonzato theksoi se ky raport vjen në një kontekst të favorshëm për Shqipërinë teksa javën e kaluar Bashkimi Evropian hapi negociatat me Shqipërinë për grup-kapitujt themelorë.
“Raporti i këtij viti del në një kontekst të favorshëm për procesin e Shqipërisë në BE. Hapja e negociatave për grup-kapitujt themelorë shënon një moment kyç në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Në paketën e zgjerimit të miratuar dje nga Komisioni Evropian vërehet angazhimi i Shqipërisë për t’u integruar në BE, si pika strategjike e vendit”, tha Gonzato.
Ai vuri në dukje se Shqipëria mund t’i arrijë afatet e kërkuara nga Bashkimin Evropian për procesin e anëtarësimit vetëm nëse realizon reformat e duhura.
“Komisioni sheh një mundësi për Shqipërinë që të përshpejtojë procesin e anëtarësimit në BE vitet e ardhshme. Ashtu siç e theksoi edhe Ursula von der Leyen në vizitën e saj javën e kaluar se nëse hapi i reformave përshpejtohet, Shqipëria mund t’ia dalë çelë të gjithë grup-kapitujt deri në fund të vitit 2025.
Këto afate ambicioze mund të bëhen realitet nëse shqiptarët intensifikojnë më tej hapin e reformave të orientuara nga BE, nisur nga zbatimi i ligjit, bilancin në zbatimin e ligjit, luftën efektive ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, nxitjen dhe promovimin e të drejtave themelore, përfshirë lirinë e medias, të drejtat e pronësisë dhe pakicat”, u shpreh Gonzato.