Gratë e Islandës në grevë, një nga vendet më të zhvilluar kërkon më shumë të drejta
Shkollat, dyqanet, bankat dhe pishinat e famshme të Islandës u mbyllën për 24 orë pasi gratë, përfshirë kryeministren e vendit ishullor, hynë në grevë për t’i dhënë fund pabarazisë në paga dhe dhunës me bazë gjinore.
Kryeministrja islandeze Katrin Jakobshdotir anuloi detyrat e saj zyrtare të martën, ndërsa grevës iu bashkuan edhe punonjëset gra, që përbëjnë gati dy të tretat e stafit të saj.
“Ne ende nuk i kemi arritur objektivat tona për barazi të plotë gjinore dhe ende kemi një hendek në paga, gjë që është e papranueshme në vitin 2023”, u shpreh kryeministrja
Organizatorët e protestës u bënë thirrje grave që të refuzojnë punën me pagesë të ulët dhe atë të papaguar. Sektorët e arsimit dhe shëndetësisë në Islandë, ku shumica e punonjësve janë gra, u goditën më rëndë nga protesta.
Greva e së martës në Islandë u cilësua si më e madhja që nga protesta e parë e zhvilluar më 24 tetor 1975, kur 90 për qind e grave refuzuan të punojnë, pastrojnë apo kujdesen për fëmijët në shenjë pakënaqësie për diskriminimin në vendin e punës. Ndërsa në vitin 1976, Islanda miratoi një ligj që garantonte të drejta të barabarta pavarësisht nga gjinia.