Greqia dërgon anijen e shpejtë luftarake në Detin e Kuq me mision kundër huthive
Greqia miratoi të hënën (26 shkurt) pjesëmarrjen në operacionin e Bashkimit Europian për sigurinë detare në Detin e Kuq, për të mbrojtur anijet tregtare nga sulmet prej militantëve huthi në Jemen.
Një komitet sigurie i udhëhequr nga kryeministri Kiriakos Micotakis (o. Kyriakos Mitsotakis) urdhëroi dërgimin e fregatës greke në operacionin Aspides (“mburojë”), që u krijua javën e kaluar.
Misioni do të drejtohet nga një bazë ushtarake në Larisë, në Greqinë Qendrore.
Greqia është prekur drejtpërdrejt nga sulmet e huthive. Porti i Pireut, afër Athinës, raportoi një rënie vjetore të aktivitetit prej 12.7% në terminalin e kontejnerëve në muajin janar.
“Të gjithë e kuptojmë se pjesëmarrja në këtë operacion është me rrezik, me rreziqe të konsiderueshme,” tha ministri i Mbrojtjes, Nikos Dendias, gjatë vizitës në bazën detare.
“Greqia, si një fuqi detare me një rol kryesor në transportin global, i kushton shumë rëndësi nevojës për të mbrojtur lirinë e lundrimit, si dhe jetën e detarëve grekë,” tha z. Dendias.
Gjermania, Italia dhe Franca gjithashtu do të sigurojnë anije luftarake për misionin, duke iu bashkuar Hydra-s, ndërsa Italia do të marrë komandën taktike, sipas zyrtarëve grekë.
Zyrtarët në Athinë e kanë përshkruar Aspides si një mision mbrojtës, duke shtuar se Greqia nuk do të merrte pjesë në sulme të udhëhequra nga SHBA-ja kundër objektivave ushtarakë huthi në Jemen.
Huthit kanë mbështetjen iraniane dhe thonë se sulmet e tyre me dronë dhe raketa ndaj anijeve tregtare janë një përgjigje ndaj ofensivës së Izraelit në Gazë kundër Hamasit. /VOA