Greqia kundër vendimit të KE për Shqipërinë
Athina zyrtare nuk bie dakord me një letër të përbashkët të 27 vendeve anëtare të Bashkimit Evropian drejtuar Shqipërisë për hapjen e negociatave të paketës së parë të kapitujve të anëtarësimit.
Duke njoftuar këtë, gazeta greke “Ekathimerini” komenton se kjo përbën një përshkallëzim thelbësor të qëndrimit të ashpër ndaj Tiranës për shkak të asaj që Greqia e quan shkelje e vazhdueshme e të drejtave të Fredi Beleri.
“Ndërsa u gjet një rrugë përpara për negociatat për këtë kapitull me Maqedoninë e Veriut, sepse Bullgaria ra dakord me kompromisin e ofruar nga presidenca spanjolle, kjo nuk vlejti për Shqipërinë” shkruan gazeta.
Sipas të njëjtës media, kjo do të shkëpuste procesin e Shqipërisë nga Maqedonia e veriut.
“Përveç ndikimit që ka pasur qëndrimi i qeverisë së kryeministrit shqiptar Edi Rama në çështjen Beleri në lidhjet greko-shqiptare, ky zhvillim në mënyrë efektive shkëput dy fushatat e Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë, të cilat deri më tani ishin të lidhura” shkruan Ekathimerini.
Grupi i parë i çështjeve themelore që çdo vend kandidat duhet të zgjidhë përfshihet në pesë kapituj që kanë të bëjnë me: autoritetin gjyqësor dhe të drejtat themelore; gjyqësori, liria dhe siguria; prokurimi publik; statistika; dhe kontrollin financiar.
Ekathimerini i citon raportin vjetor të datës 8 nëntor për një referencë që e quan të nënkuptuar, por të qartë për ndërlikimet në marrëdhëniet greko-shqiptare të shkaktuara nga çështja Beleri.
Më 22 nëntor do të zhvillohet seanca e radhës e gjykatës së korrupsionit ku Beleri po gjykohet për akuzën e blerjes së votës, por ndërkohë pritet të caktohet seanca e re për lejen speciale që kërkon për betimin.