Greqia paralajmëron “izolimin” e Maqedonisë së Veriut për shkak të debatit për emrin
Maqedonia e Veriut do e ketë të vështirë rrugën drejt Bashkimit Europian dhe Athina nuk do i ratifikojë marrëveshjet e bashkëpunimit me Shkupin, ka paralajmëruar kryeministri Kirjakos Micotakis (o. Kyriakos Mitsotakis).
Shefi i qeverisë greke i bëri deklaratat të mërkurën në vijim të debatit diplomatik që hapi presidentja e sapozgjedhur e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, e cila është shprehur se nuk i pëlqen të përdorë shtojcën “e Veriut” për emrin e vendit të saj. Çështja e emrit është zgjidhur me kushtetutë nga ana maqedonase pas akordit të Prespës në vitin 2018.
“Në këtë pikë, nuk do i ratifikojmë memorandumet mes nesh. Ratifikimi do i jepte avantazhe Shkupit,” tha z. Micotakis në një intervistë me Open TV.
“Pala tjetër në Maqedoninë e Veriut duhet të pranojë se periudha zgjedhore ka mbaruar. Shkupi është i izoluar, jo Greqia. Besoj se do të përshtaten sipas trysnisë që kanë për të ndeshur,” u shpreh kryeqeveritari grek, ndërsa shtoi se lidershipi i Maqedonisë Veriore “duhet të marrë me seriozitet përgjegjësitë që i takojnë dhe të ndalë manovrat e kota politike.“
“Ne jemi të vendosur që të respektohet Marrëveshja e Prespës,” tha z. Micotakis.
Një ditë më parë u raportua se edhe faqja zyrtare e presidentes Gordana-Siljanovska në krye të saj kishte hequr referencat për emrin e vendit sipas Kushtetutës, duke e zëvendësuar me shkurtimin MK ose thjesht “Maqedonia”.
Edhe në profilin e saj në rrjetin “X”, presidentja maqedonase e përshkruan veten si “Presidente e Maqedonisë, grua, nënë, profesore, aktiviste, eksperte, vegjetariane, rokere”. /Kathimerini 1, 2