Gripi i shpendëve, Ministria e Bujqësisë: Evidentuam 4 vatra, situata nën kontroll
Ministria e Bujqësisë ka informuar qytetarët në lidhje me gripin e shpendëve në vend, duke garantuar se situata është nën kontroll dhe monitorim të vazhdueshëm.
Bëhet me dije se janë evidentuar 4 vatra në Zall-Herr, Nartë, Paskuqan dhe në Lagunën e Karavastasë, ndërsa janë marrë masat e duhura për izolimin e infeksionit me qëllim parandalimin e përhapjes.
“Që prej konfirmimit të rastit të parë është në fuqi dhe mblidhet në rend ditor Qendra Kombëtare e Krizës për sëmundjen e Influencës Aviare me përfaqësues nga Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Brendshme, Ministria e Turizmit dhe Mjedisit dhe Instituti i Shëndetit Publik për koordinimin e veprimeve dhe marrjen e informacionit mbi masat e marra nga Qendra Rajonale të Krizës, e cila ka identifikuar Njësitë Administrative të zonave të mbrojtjes (3 km) dhe mbikqyrjes (10 km) për tre vatrat në Zall Herr, Nartë, Paskuqan dhe asaj të konfirmuar ditën e sotme 09.01.2025 në Lagunën e Karavastasë”, thuhet në njoftim.
Ministria e Bujqësisë shtoi se dy prej rasteve në vatrat aktuale pozitive janë të pranishme në specie të shpendëve të egër.
Javën e kaluar, 20 shpendë të egër u gjetën të ngordhur përgjatë bregut të detit në Plazhin e Vjetër në Vlorë. Ata rezultuan pozitivë me influencën aviare të nëntipit H5N1 pas vlerësimit nga autoriteti veterinar, ndërsa Ministria urdhëroi ngritjen e menjëhershme të 7 grupeve të punës për monitorimin e situatës në terren dhe gjurmimin kryesisht të zonave lagunore dhe ujore të Nartës, Novoselës, Plazhit të Vjetër, Orikumit, në Butrint, Karavasta dhe Seman.
Çfarë është gripi i shpendëve?
Gripi i shpendëve shkaktohet nga viruset e gripit të tipit A dhe ka disa nëntipe të viruseve të gripit që mund të infektojnë zogjtë. Ky grip prek edhe njerëzit për shkak të kontaktit të drejtpërdrejtë me zogjtë e sëmurë ose të ngordhur. Kur viruset e gripit të shpendëve infektojnë njerëzit, ka simptoma pak a shumë të dukshme që prekin kryesisht traktin respirator, ethe dhe kollë, zakonisht, por edhe pneumoni, vështirësi të rënda në frymëmarrje dhe në rastet më të këqija, vdekje.