Grupin G, City pret Leipzig për vendin e parë
Çështja e kualifikimit në raundin me eliminim është zgjidhur në Grupin G, ku Manchester City dhe Leipzig kanë nga 10 pikë e janë të paarritshme nga dy të tjerat. Dy skuadrat e kualifikuara ndeshen sot në stadiumin Ettihad dhe objektivi i vetëm i mbetur është vendi i parë. Një objektiv vetëm në letër për skuadrën gjermane, e cila ka kujtime të hidhura nga vizita e fundit në këtë stadium, ku në sezonin e kaluar u mund 7-0, me Erling Haland autor të pesë golave. Edhe në ndeshjen e parë në grup, skuadra e Guardiolës fitoi 3-1.
Në Bernë, Young Boys dhe Crvena Zvezda, të dyja me nga një pikë, do të luajnë për çmimin ngushëllues, kualifikimin në Europa League. Ndeshja e parë në Beograd ka përfunduar në barazim 2-2, ndaj fituesi i ndeshjes së sotme siguron matematikisht vendin e tretë.