Guardiola “tremb” Realin: City, gati për të dhënë maksimumin
Nesër në mbrëmje do të luhet ndeshja Manchester City-Real Madrid, rezultati i së cilës do të vendosë se kush nga dy skuadrat do të kualifikohet në gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve. Akti i parë në Spanjë dhuroi spektakël, por jo fitues, pasi takimi u mbyll në barazim 3-3. Ndeshja Manchester City-Real Madrid do të transmetohet drejtpërdrejt dhe pa pagesë në Radio Televizionin Shqiptar.
“Ne duhet ta ndiejmë këtë presion. Nëse fokusohemi te fitorja e vitit të kaluar, nuk do të kemi atë shtytje shtesë që na nevojitet. Duhet të jemi të uritur për të konkurruar në këto ndeshje, duhet të sjellim energjinë e duhur dhe na duhet ndihma e tifozëve tanë.
Ndonjëherë do të duhet të vuajmë sepse është e pamundur të dominojmë në 90 minuta. Jemi përgatitur për të luajtur në maksimumin tonë”, ka thënë trajneri i Manchester City, Pep Guardiola gjatë konferencës për shtyp në prag të ndeshjes së dytë të Champions League kundër Real Madridit.
“Nuk ka dy ndeshje të njëjta, ata kanë mësuar (nga sezoni i kaluar), ne kemi mësuar… do të përpiqemi të bëjmë atë që duhet të bëjmë. Kjo është ëndrra dhe ajo që duam të realizojmë,” ka thënë mes të tjerash trajneri spanjoll.