Guterres në Rafah: Ndihmat duhet të dërgohen shpejt në Gazë!
Kamionët me ndihma duhet të lëvizin drejt Gazës sa më shpejt që të jetë e mundur, tha sekretari i Përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, njofton Radio Evropa e Lirë.
Ai këto komente i bëri në pikëkalimin Rafah, që është pikëkalimi i vetëm që lidh Egjiptin me Rripin e Gazës.
Guterres bëri thirrje që një numër i madh i kamionëve të hyjnë në Gazë çdo ditë, duke shtuar se verifikimi i ndihmës duhet të bëhet në një mënyrë praktike dhe të shpejtë.
“Ne në mënyrë aktive po angazhohemi me të gjitha palët që të sigurohemi që hiqen ndalesat për dërgimin e ndihmës”, tha ai.
Kolona e kamionëve duke pritur tash e shumë ditë për të futur ndihma humanitare në Rripin e Gazës në pikëkalimin me Egjiptin, Rafah.
Pas sulmit vdekjeprurës të grupit militant palestinez, Hamas, ndaj Izraelit më 7 tetor, ky i fundit rrethoi Gazën dhe bllokoi dërgesat e ujit, ushqimeve dhe karburanteve.
Por, pas vizitës së presidenti amerikan, Xho Baiden ( Joe Biden ), në Tel Aviv më 18 tetor, Izraeli u pajtua që të lejojë ndihmat të shkonin në Gazë.
Megjithatë, ndihmat e grumbulluara në Egjipt për Gazën ende nuk janë lejuar që të kalojnë pikën kufitare në Rafah për 2.3 milionë palestinezët në Rripin e Gazës.
Marrë nga Radio Evropa e Lirë