Guvernatori Sejko: Konkurrenca e drejtë stimulon rritjen ekonomike të vendit

Guvernatori Sejko

Guvernatori Sejko

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në njëzetëvjetorin e ligjit “Për mbrojtjen e konkurrencës”, u shpreh se në këto dy dekada, Autoriteti i Konkurrencës ka ndjekur një politikë që i stimulon kompanitë të ofrojnë produkte dhe shërbime në termat më të favorshëm për konsumatorët, duke nxitur transparencën, eficiencën, inovacionin dhe rrjedhimisht, uljen e çmimeve në treg.

Sipas tij, ashtu si edhe shumë rregullatorë të tjerë, pesha dhe kontibuti i Autoritetit të Konkurrencës janë sa të domosdoshme, aq edhe të pazëvendësueshme në jetën dhe zhvillimin e një vendi.

Sejko tha se një konkurrencë e drejtë dhe e shëndoshë ka një rol tepër të rëndësishëm në ekonominë e një vendi.

“Ajo stimulon rritjen ekonomike të vendit, duke nxitur aktivitetin tregtar, produktivitetin dhe investimet. Sipas teorisë ekonomike, konkurrenca incentivon eficiencën e bizneseve në përdorimin e burimeve, duke sjellë uljen e kostove dhe rritjen e shitjeve. Rritja e eficiencës përkthehet në ulje të çmimeve. Ulja e çmimeve rrit: nga njëra anë, të ardhurat reale të konsumatorëve, duke nxitur kështu konsumin dhe, nga ana tjetër, motivimin e firmave për të investuar në inovacion dhe në ndërtimin e kapitalit njerëzor dhe financiar. Të gjitha së bashku kontribuojnë më tej e drejtpërdrejt në rritjen ekonomike”, theksoi ai.

Sipas Sejkos, të njëjtat efekte, si në sektorët e tjerë të ekonomisë, konkurrenca duhet t’i prodhojë edhe në sektorin financiar, duke kontribuuar në zgjerimin e gamës dhe cilësisë së produkteve dhe shërbimeve financiare të ofruara nga bankat, si dhe rritjen e aksesit në financë.

“Bankat luajnë një rol kritik për ekonominë dhe rritjen ekonomike të vendit, ndaj dhe stabiliteti financiar është një parakusht për një sistem financiar të qëndrueshëm, eficient dhe mbështetës ndaj rritjes ekonomike dhe ekonomisë reale. Shëndeti i sektorit bankar qëndron në zemër të një ekonomie funksionale tregu. Ai i kanalizon kursimet e familjeve dhe bizneseve në investime dhe në financim, duke kryer kështu funksione ndërmjetësimi që janë kritike për ekonominë reale dhe kontribuojnë në zhvillimin e vendit”, tha Sejko.

Sipas tij, zbatimi i politikës së konkurrencës në sektorin bankar mbetet një çështje e komplikuar.

“Ndryshe nga sektorët e tjerë të ekonomisë, ku konkurrenca dhe disiplina e tregut mjaftojnë për arritjen e rezultateve të dëshiruara, rregullimi është një komponent i domosdoshëm për mirëfunksionimin e sektorit financiar. Po ashtu, ekzistojnë asimetri të konsiderueshme në informacionin mbi nivelet e rrezikut ndërmjet klientëve dhe bankave. Kjo lidhet edhe me mungesën e njohurive dhe kuptimin e koncepteve financiare që redukton besimin në aftësinë e tyre për të zgjedhur produktet e duhura financiare”, tha Sejko.

Për të krijuar kushte sa më konkurruese në treg, ai tha se Banka e Shqipërisë ka ndërmarrë një numër masash.

“Gjatë 10 viteve të fundit, sektori bankar ka përjetuar një konsolidim të shpejtë, ku numri i bankave në treg zbriti nga 16 në 11. Bankat e mesme kanë përthithur bankat e vogla, duke rritur në këtë mënyrë peshën e tyre në treg dhe duke zvogëluar varësinë e sektorit bankar nga bankat e mëdha”, vijoi Sejko duke vënë në dukje se fuqizimi i kapitalizimit të sektorit bankar ndodhet në nivelin më të lartë historik – 19% – duke reflektuar një rritje të shëndoshë dhe administrim të kujdesshëm të rreziqeve nga sektori.

“Dialogu i hapur dhe bashkëpunues midis dy institucioneve është një element kyç i një mjedisi rregullator pro-konkurrencë e që mbështet inovacionin. Përhapja e teknologjive të reja financiare paraqet një test të rëndësishëm për institucionet tona. Aktorë të rinj po shfaqen në treg në formën e shoqërive FinTech, të cilat mund të afektojnë segmente të ndryshme të tregut financiar, si sistemet e pagesave”, theksoi ai.

A note to our visitors

This website has updated its privacy policy in compliance with changes to European Union data protection law, for all members globally. We’ve also updated our Privacy Policy to give you more information about your rights and responsibilities with respect to your privacy and personal information. Please read this to review the updates about which cookies we use and what information we collect on our site. By continuing to use this site, you are agreeing to our updated privacy policy.