Guvernatori Sejko pret Presidentin e Mastercard Europe Barnnet: Nevojitet ulje e kostos së veprimeve me kartë!
Promovimi i pagesave elektronike në ekonominë shqiptare dhe mundësitë e ardhshme të bashkëpunimit u diskutuan në takimin mes Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko dhe Presidentit të Mastercard Europe Mark Barnett.
Zoti Sejko prezantoi masat e ndërmarra nga Banka e Shqipërisë për nxitjen e përfshirjes financiare dhe të përdorimit të pagesave elektronike, të cilat janë reflektuar më së miri në ekonominë shqiptare.
Zoti Barnett konfirmoi se, bazuar në transaksionet e procesuara nga Mastercard, Shqipëria ka një shtim të qenësishëm të pagesave me kartë në vitet e fundit. Nga të dhënat në dispozicion, rezulton se Shqipëria është vendi i dytë në Evropë dhe i tretë në botë me rritjen më të lartë të turizmit në vitin që lamë pas.
Guvernatori Sejko dhe zoti Barnett shqyrtuan mundësitë e vijimit të mëtejshëm të politikave stimuluese për përdorimin sa më të gjerë të pagesave elektronike edhe në transaksionet e përditshme të qytetarëve, duke mundësuar pagesat e shpejta nga celulari.
Zoti Sejko prezantoi projektet e Bankës së Shqipërisë për krijimin e një sistemi Instant Payment me asistencën e Bankës së Italisë, duke replikuar sistemin TIPS të operuar nga Banka Qendrore Evropiane, si dhe anëtarësimin e përshpejtuar në SEPA, i cili po ecën me ritme tepër pozitive.
Nga ana e tij, zoti Barnett u angazhua për mbështetjen e Shqipërisë me njohuritë e nevojshme dhe krijimin e mekanizmave për minimizimin e rreziqeve që lidhen me mashtrimet, krimin kibernetik dhe parandalimin e pastrimit të parave.
Ai ftoi Bankën e Shqipërisë të marrë pjesë në European Cyber Resilience Centre (ECRC) të krijuar në Bruksel, me qëllim promovimin dhe konsolidimin e bashkëpunimit dhe të nismave të ndryshme në nivel evropian për mbrojtjen ndaj krimit kibernetik. Në këtë kuadër, përfaqësuesit e Mastercard ofruan mbështetjen e tyre edhe për zbatimin e rregullores së Bashkimit Evropian “Për qëndrueshmërinë operacionale digjitale”.
Sipas Monitor