Hagë, Hasani takon Thaçin: Mbështetja jonë nuk do i mungojë në asnjë rast, procesi gjyqësor të jetë transparent
Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka takuar në Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçin.
Në një video mesazh në rrjetin social Facebook, pas takimit me Thaçin, Hasani u shpreh se e ka garantuar ish-presidentin se mbështetja e Shqipërisë nuk do i mungojë në asnjë rast.
Po ashtu, Hasani bëri me dije se ka informuar Thaçin mbi zhvillimet më të fundit në rajon dhe siguroi gjithashtu se drejtësia shqiptare do këmbëngulë në një proces gjyqësor të hapur e transparent.
“Sot në Hagë u takova me Presidentin Hahsim Thaçi. E gjeta në gjendje të mirë shpirtërore, optimist dhe me besim të palëkundur se e drejta do triumfojë.
I vetëdijshëm se proceset gjyqësore janë një maratonë me të përpjeta dhe të tatëpjeta, garën e fiton ai që është i përgatitur psikologjikisht.
I përcolla z. Thaçi sigurinë se mbështetja jonë nuk do t’i mungojë në asnjë rast dhe për asgjë.
Populli shqiptar nuk i harron as përpjekjet dhe as sakrificat e bijve të vetë ashtu si dje në luftë e sot në paqe.
E informova presidentin për zhvillimet më të fundit në vend dhe rajon si dhe për përpjekjet e pakursyera nga ana jonë për paqen, stabilitetin dhe zhvillimin. Diplomacia shqiptare do ngulë këmbë në zbatimin e standarteve për një proces gjyqësor të hapur dhe transparent në respektim të plotë të të drejtave të njeriut sipas konventave ndërkombëtare.
Hagë – Bëjmë thirrje për një proces gjyqësor të përshpejtuar, transparent dhe politikisht të paanshëm për: Hashim Thaçi; Kadri Veseli; Jakup Krasniqi; Rexhep Selimi”, tha Hasani.