Hakerat iranianë sulmojnë faqen zyrtare, INSTAT: Nuk janë prekur të dhënat e Censit
Faqja zyrtare e INSTAT është sulmuar nga hakerat iranianë “Homeland Justice”. Sulmi është marrë përsipër nga “Homeland Justice” me një postim në Telegram. Për shkak të sulmit faqja zyrtare e INSTAT është e paaksesueshme.
Për ngjarjen ka reaguar edhe INSTAT, ku thotë se institucioni ka reaguar shpejt për të minimizuar dëmet dhe se po punohet me ekspertë për të hetuar, identifikuar burimin dhe motivet e sulmit kibernetik.
INSTAT thotë se të dhënat e Censit nuk janë objekt i këtij sulmi pasi janë të ruajtura në sisteme të tjera të dedikuara vetëm për këtë qëllim.
“INSTAT informon opinionin publik se në datën 31 janar 2024, sistemet e saj informatike kanë qenë objekt i një sulmi kibernetik të sofistikuar. INSTAT ka reaguar me shpejtësi dhe profesionalizëm për të parandaluar dhe minimizuar dëmet e mundshme nga sulmi. INSTAT ka ndërprerë menjëherë lidhjet e internetit dhe ka aktivizuar protokollet e emergjencës për të siguruar mbrojtjen e të dhënave dhe informacioneve statistikore. Aktualisht, nga ekzaminimet e para të kryer nga ekspertët e Teknologjisë së Informacionit, disa nga sistemet e INSTAT janë ndikuar nga sulmi. Përgjigja e menjëhershme e INSTAT përfshin ndihmën e ekspertëve kombëtarë të sigurisë kibernetike, të cilët po bashkojnë burimet e tyre për të kryer një hetim të hollësishëm mbi këtë sulm. Objektivat kryesore përfshijnë përcaktimin e shkaqeve themelore të sulmit, vlerësimin e shtrirjes së dëmit dhe hartimin e zgjidhjeve efektive për të zbutur rreziqet e ardhshme.
INSTAT siguron publikun se të dhënat e Censit nuk janë objekt i këtij sulmi pasi janë të ruajtura në sisteme të tjera të dedikuara vetëm për këtë qëllim. INSTAT po bashkëpunon ngushtë me autoritetet kompetente për të hetuar dhe identifikuar burimin dhe motivet e sulmit kibernetik dhe gjithashtu për të rikthyer funksionimin normal të sistemeve të saj informatike dhe për të forcuar masat e sigurisë kibernetike.
INSTAT falënderon publikun për mirëkuptimin dhe mbështetjen e treguar në këtë situatë të jashtëzakonshme. INSTAT vlerëson lartë besimin e qytetarëve dhe partnerëve në punën e saj dhe angazhohet të vazhdojë të ofrojë statistika zyrtare të besueshme, të sakta dhe të pavarura”, shkruhet në reagimin e INSTAT.
Kjo nuk është hera e parë që “Homeland Justice” ka sulmuar faqet zyrtare në Shqipëri. Më herët është sulmuar edhe AKSHI duke ndërprerë shumë shërbime por edhe faqe të tjera qeveritare, sulme që bënë që Shqipëria të ndërpresë marrëdhëniet diplomatike me Iranin.