Hamasi liron pengjet në Gaza
Hamasi liroi 11 pengje në Rripin e Gazës, ndërsa Izraeli nxori nga burgjet e veta 33 persona, mes tyre 3 gra dhe 30 fëmijë palestinezë sipas marrëveshjes së armëpushimit, që u zgjat edhe me 2 ditë mbrëmjen e së hënës. “Pengjet e liruar nga Hamasi në Gaza përfshijnë 3 shtetas francezë, 2 gjermanë dhe 6 argjentinas” njoftoi Katari, duke shtuar se ata iu dorëzuan Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq. Ky është grupi i katërt i pengjeve të liruara nga Hamasi që kur nisi armëpushimi i përkohshëm mes Izraelit dhe grupit militant palestinez të premten.
Deri tani Hamasi ka liruar 69 pengje nga 240 që dyshohet se u rrëmbyen më 7 tetor në këmbim të 150 palestinezëve të liruar nga burgjet izraelite. Katari, bashkë me Shtetet e Bashkuara dhe Egjiptin, janë ndërmjetësuesit kryesorë të konfliktit të armatosur të nisur në fillim të muajit tetor mes Izraelit dhe Hamasit.
Ndërkohë që diplomatët në Doha thonë se po punojnë për të zgjatur më tej armëpushimin mes dy palëve. Kombet e Bashkuara e kanë shfrytëzuar ndalimin e luftimeve për të marrë më shumë ndihma në Gaza, por thonë se nevojiten shumë më tepër duke u nisur nga situata e rënduar në terren.
Nga Sulmet e Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor u vranë 1200 persona, ndërsa Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga grupi militant thotë se rreth 15 mijë njerëz janë vrarë nga bombardimet.