Hamasi pranon rezolutën e OKB-së për armëpushim me Izraelin, gati për të negociuar mbi detajet
Hamasi ka pranuar rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së për armëpushimin dhe është i gatshëm të negociojë mbi detajet.
Lajmi u bë me dije nga zyrtari i lartë i Hamasit, Sami Abu Zuhri për Reuters, i cili deklaroi se tashmë i takon Uashingtonit të sigurojë që Izraeli t’i bindet armëpushimit.
“Hamasi pranoi rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së në lidhje me armëpushimin, tërheqjen e trupave izraelite dhe shkëmbimin e pengjeve për të burgosurit e mbajtur nga Izraeli, tha ai.
Administrata amerikane po përballet me një provë të vërtetë për të përmbushur angazhimet e saj në detyrimin e okupimit për t’i dhënë fund luftës menjëherë në një zbatim të rezolutës së Këshillit të Sigurimit të OKB-së,” tha Abu Zuhri.
Këshilli i Sigurimit i OKB-së miratoi një ditë më parë (10 qershor) projekt-rezolutën amerikane që mbështet planin e armëpushimit në Gaza të shpallur nga Presidenti, Xho Bajden (Joe Biden) dhe ftoi Hamasin ta pranonte atë. Teksti – për të përmbushur kërkesat e disa vendeve që donin gjithashtu të përmendej Izraeli – u kërkon “të dyja palëve të zbatojnë plotësisht kushtet e planit pa vonesë dhe pa kushte”. Drafti u miratua me 14 vota pro, ndërsa Rusia abstenoi.