Hap i rëndësishëm në sigurimin e dokumenteve të udhëtimit/ Shqipëria anëtarësohet në ICAO PKD

Shqipëria është bërë vendi i 99-të që i bashkohet Drejtorisë së Çelësave Publikë (PKD) të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO).
Një “hap i rëndësishëm për Shqipërinë në sigurimin e dokumenteve të udhëtimit, si vendi i 99-të, që i bashkohet Drejtorisë së Çelësave Publikë (PKD) të Organizatës Ndërkombëtare të Aviacionit Civil (ICAO)”, sipas Ministrisë së Brendshme.
Sipas njoftimit, kompania IdentiTek sh.a., prej krijimit ka luajtur rol kyç në avancimin e sistemit të identifikimit në Shqipëri.
“ICAO PKD është një platformë globale për shkëmbimin e informacionit mbi dokumentet e udhëtimit, duke ndihmuar vendet anëtare në verifikimin e pasaportave biometrike. Si agjenci e Kombeve të Bashkuara, ICAO bashkëpunon me 193 shtete, për të garantuar rrjet të sigurt e të shpejtë për mobilitetin ajror global”.
Sipas njoftimit, “anëtarësimi i Shqipërisë në ICAO PKD e pozicionon vendin në nivel më të lartë besueshmërie dhe bashkëpunimi në arenën ndërkombëtare. Kjo do të thotë se autenticiteti i pasaportës shqiptare do të njihet nga të gjitha shtetet pjesëtare të ICAO PKD, çka rrit ndjeshëm sigurinë kufitare, ndihmon luftën kundër krimit të organizuar dhe terrorizmit në nivel global”.
“Për qytetarët shqiptarë, përmirësohet përvoja në udhëtimet ndërkombëtare, duke e bërë më të lehtë dhe të shpejtë kalimin në pikat doganore. Verifikimi i pasaportës në rrjet bëhet nëpërmjet konfirmimit të certifikatës së saj digjitale, e cila ndodhet në zonën e lexueshme nga makinat MRZ (Machine Readable Zone)”.
Përfaqësuesit e ICAO dhe ICAO PKD-së, e cilësuan këtë hap si një arritje të rëndësishme për sigurinë dhe integrimin ndërkombëtar të Shqipërisë. Falë angazhimit dhe bashkepunimit ndërinstitucional, vendi ynë po përparon më tej drejt transformimit të sigurt digjital.