Hapen 3 km rrugë në Zogaj- Shirokë, punimet vijojnë me ritme të kënaqshme në aksin turistik

Rruga Shirokë – Zogaj është aktualisht një nga kantieret më të zgjeruara të punimeve që janë në proces për përmirësimin e infrastrukturës rrugore në Bashkinë Shkodër. Punimet e nisura rreth dy muaj më parë kane avancuar me ritme të shpejta.
Sipas projektit, rruga Shirokë-Zogaj-Pika e re kufitare me Malin e Zi, me gjatësi prej 6.5 km, do të ketë një gjerësi prej 10 metrash, përfshirë edhe korsinë e dedikuar për lëvizjen me biçikleta si dhe për këmbësorë.
Përmes një postim të shpërndarë sot , me pamje nga kantieri i punës në këtë rrugë, kryeministri Edi Rama e quan këtë investim shumë të rëndësishëm për zhvillimin e turizmit në zonë dhe krijimin e një lidhje të re startegjike për Shkodrën si kryeqendër e rajonit.
Zbatim i projektit të kësaj rruge panoramike buzë Liqenit të Shkodrës, i financuar nga BERZH dhe Fondi Shqiptar i Zhvillimit me fondin prej 4.7 milion euro, pritet të përfundojë në vjeshtën e këtij viti.