Hapen aplikimet për 309 poste elektriçistësh, Rama: Bëhuni pjesë e shërbimit publik me punë të denjë
Janë hapur aplikimet për 309 poste të reja elektriçistësh në të 12 rajonet e vendit. Kryeministri Edi Rama ka ftuar të rinjtë që të bëhen pjesë e shërbimit publik me punë të denjë.
Afati i aplikimit është 30 ditë, ndërsa mosha maksimale për aplikim do të jetë deri në 25 vjeç.
“MIRËMËNGJES dhe me këtë ftesë për të rinjtë elektriçistë, që të bëhen pjesë e shërbimit publik me punë të denjë, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Kryeministri Rama në rrjetin social Facebook.
Një ditë më parë, Ministrja për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku u shpreh se nëse nuk do të ketë 309 aplikime deri në moshën 25-vjeç, atëherë do të hapet një thirrje e dytë për plotësimin e vendeve.
“Duam që të krijojmë tashmë një fuzion do ta quaja të të gjithë eksperiencës që mbartin elektriçistët tanë që kontribuojnë dhe sakrifikojnë në të gjithë vendin me një armatë të re të cilët do ti bashkohen duke marrë kështu nga eksperienca e elektriçistëve më të vjetër por duke sjell dhe një ritëm të ri në kompani.
Duke hapur që sot aplikimin për 30 ditë për 309 vende pune elektricist pranë OSHEE-së, një aplikim që unë shpresoj të ketë një pjesëmarrje sa më të madhe.
Por nëse nuk do ketë 309 aplikime deri në moshën 25 vjeç, padyshim do të hapim një thirrje të dytë për të plotësuar vendet”, tha Balluku.