Hapet grup-kapitulli i dytë Shqipëri–BE, Konferenca e 4-t ndërqeveritare mbahet më 14 prill

Më 14 prill, në Luksemburg do të zhvillohet raundi i radhës i bisedimeve mes Bashkimit Evropian dhe Shqipërisë, ku do të hapet grup-kapitulli i dytë i negociatave për tregun e brendshëm.
Data është konfirmuar zyrtarisht nga presidenca polake e BE-së, pas një vendimi të marrë me konsensus nga ambasadorët e 27 shteteve anëtare të BE-së në Bruksel.
Kryeministri Edi Rama reagoi përmes një postimi në Facebook, ku negociatat i konsideron si “më intensivet në historinë e integrimit”.
“Po si thanë? S’ka më hapje kapitujsh ëëë?! U alarmua Europa nga narkodiktatura ëëë?! Madje mua s’më dhanë as darkë se u solla keq ëëë?! Ëh ëh ëh… Të hënën në BE për Konferencën e Katërt të negociatave dhe një seri tjetër kapitujsh që hapen. Këto janë negociatat më intensive në historinë e integrimit dhe kur mendon që Mali i Zi negocion që nga 2012, ndërsa në që vjet dhe kur mendon edhe që kalendari ynë është vetëm 3 vjet, pra i mbyllim në 2027 e jemi gati për të hyrë në BE, atëherë s’ke si mos u thuash honxhobonxhove të kënetës politike e mediatike dhis is ëë mirrakëll of fridom”, shkruan Rama.
Edhe ambasadori i Shqipërisë në Bashkimin Europian, Ferit Hoxha ka reaguar përmes një postimi në X, ku shkruan: “Këshilli Europian sapo ka dhënë dritën jeshile për konferencën e 4 ndërqeveritare me Shqipërinë, me qëllim të hapjes së negociatave për 9 kapituj të Klasterit 2, Tregu i Brendshëm. Një arritje e madhe që konfirmon se Anëtarësimi në Bashkimin Europian mbetet i bazuar në merita dhe ritmi i tij përputhet me kapacitetin dhe reformat”.
Më 15 tetor, u hap grup-kapitulli i parë për çështjet themelore, ndërsa më 17 dhjetor nisi diskutimi për grupin e 6-të, që përfshin marrëdhëniet e jashtme dhe sigurinë.
Të martën ministrat e jashtëm do të diskutojnë edhe për përshpejtimin e procesit të zgjerimit të BE-së në Ballkanin Perëndimor.