Hapet konkursi për logon e 80-vjetorit të Çlirimit të Shqipërisë
![logon e 80-vjetori](https://i0.wp.com/www.rtsh-shkodra.live/wp-content/uploads/2024/03/logon-e-80-vjetori.jpg?fit=640%2C426&ssl=1)
Më 29 Nëntor të këtij viti mbushen 80 vjet nga çlirimi i Shqipërisë nga pushtuesit fashistë dhe bashkëpunëtorët e tyre.
Me këtë rast është lajmëruar hapja e konkursit për krijimin e logos për 80-vjetorin e Çlirimit të Atdheut.
Konkursi do të jetë i hapur deri më 22 mars.
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit së Republikës së Shqipërisë ka dhënë në faqen e saj elektronike informacione mbi konkursin. “Synimi i realizimit të kësaj “Logo”, në kremtim të 80-vjetorit të Çlirimit të Atdheut, duhet të jetë pasqyrimi i një konfiguracioni simbolik, si një krijim origjinal në përmbajtje dhe në formë. Logoja për 80-vjetorin e Çlirimit, do të shoqërojë evenimentet zyrtare dhe shkresat protokollare të Institucioneve Qendrore Shtetërore, si pjesë identifikuese e festimeve”, bën të ditur Ministria e Ekonomisë.
“Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit do të realizojë të gjithë procesin e realizimit të konkursit për përzgjedhjen e Logos Fituese. Vlerësimi artistik i Çmimit Fitues është 300.000 lekë, ku përfshihet dhe taksa e aplikueshme sipas legjislacionit në fuqi”, përfundon informacioni i publikuar në faqen e internetit të Ministrisë së Ekonomisë.