Hapet sezoni turistik në Vaun e Dejës, promovohen vlerat natyrore dhe historiko-kulturore

Muzika, këngët dhe vallet kanë krijuar një atmosferë të gëzueshme në Vaun e Dejës, ku është zhvilluar një aktivitet për çeljen zyrtare të sezonit turistik veror.
Qëllimi i aktivitetit ishte promovimi i vlerave turistike natyrore , historiko-kulturore , pa harruar dhe kulinarinë e zonës.
Në aktivitet ishte e pranishme ministrja për Marrëdhëniet me Parlamentin, Elisa Spiropali, e cila shprehu vlerësim për punën e bërë nga Bashkia e Vaut të Dejës në zhvillimin e turizmit në zonë, si dhe garantoi vijimin e mbështetjes nga ana e qeverisë. Duke shprehur synimin e qeverisë për arritjen e 14 mln turistëve në vendin tonë për këtë vit , ministra Spiropali premtoi se edhe Vau i Dejës, si gjithë qarku i Shkodrës, do të marrë vëmendjen e duhur.

Nga ana e tij, kryebashkiaku i Vaut të Dejës, Kristian Shkreli, duke renditur zonat natyrore , historike dhe kulturore të zones, u fokusua në angazhimin e pushtetit vendor për të krijuar kushtet dhe infratrukturën e nevojshme për tërheqjen e sa më shumë vizitorëve.
Gjatë çeljes së sezonit turistik, krahas aktivitetit kulturor, dhe panairit që përfshinte kulinarinë, si dhe prodhimet artizanale, të rinjtë patën mundësinë të shijonin dhe shetitjet e garat me kanoe.
Zona e Vaut të Dejës është e pasur me bukuri natyrore duke filluar me zonën e gjelbëruar malore e për të vijuar me Liqenin e Vaut të Dejës dhe të Komanit. Krahas tyre, kjo zonë është e pasur me ndërtesa historiko-kulturore, si kala , apo shtëpia muzeale.
Janë pikërisht këto vlera të jashtëzakonshme natyrore, historike dhe kulturore që po ndikojnë në rritjen nga viti në vit të turizmit në zonën e Vaut të Dejës.