Hapet vendkalim nga Gaza për në Egjipt, 88 të plagosur dhe 500 shtetas të huaj pritet të evakuohen
Kalimi Rafah nga Gaza në Egjipt pritet të hapet për herë të parë që nga fillimi i rrethimit të Izraelit. 88 palestinezë të plagosur dhe rreth 500 shtetas të huaj pritet të lejohen të dalin nga ky vendkalim.
Ambulancat kanë hyrë në Gaza nga Egjipti mëngjesin e sotëm (1 nëntor) dhe turma janë mbledhur para portave.
Zyra e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar ka deklaruar se kalimi në Rafah do të jetë i hapur për “periudha të kontrolluara dhe të kufizuara për të lejuar grupe specifike të shtetasve të huaj dhe të plagosur rëndë të largohen”.
Kreu i Organizatës Botërore të Shëndetësisë mirëpriti marrëveshjen.
“Ne kemi punuar me Ministrinë e Shëndetësisë së Egjiptit për planifikimin e evakuimeve mjekësore dhe do të vazhdojmë të mbështesim. Ne kemi nevojë për një përshpejtim të menjëhershëm në rrjedhën e ndihmës mjekësore të lejuar në Gaza. Spitalet duhet të mbrohen nga bombardimet dhe përdorimi ushtarak”, shkroi Tedros Adhanom Ghebreyesus./ CNN