Hapja e negociatave me BE, Meta: Proces ekstremisht i vonuar
“Nisja e negociatave për anëtarësim në Bashkimin Europian, proces ekstremisht i vonuar”, kështu ka deklaruar Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta në një deklaratë për media.
Meta u shpreh se është humbur shumë kohë, pasi Shqipëria i ka pasur mundësitë në 11 vitet në pushtet të “Rilindjes” që, sikurse tha ai, ishte lokomotiva që udhëhiqte procesin e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Europian.
“Mjaft më me aventura si “Ballkani i hapur” dhe ndryshimi i kufijve, projekte ogurzeza, por të gjithë motorrët të jenë të ndezur drejt BE, sepse me rritmet e këtyre 11 viteve, as pas 100 vitesh nuk mund të jemi anëtarë të Bashkimit Europian. E për cilindo që do ta paraqesi si sukses këtë hapje formale, duhet tju kujtoj se Shqipëria ka qenë shumë përpara Serbisë dhe Malit të Zi, se Shqipëria e ka firmosur Marrëveshjen e Stabilizim- Asocimit me BE- në në vitin 2006, shumë më përpara Serbisë dhe Malit të Zi, por Mali i Zi i ka çelur negociatat që në vitin 2012, Serbia në vitin 2014.
Mali i Zi pothuajse i ka mbyllur të gjitha negociatat dhe kapitujt edhe Serbia pjesën më të madhe të tyre, e ndërkohë këto ishin vende të cilat kishin problem të mëdha të brendshme, problem të mëdha të trashëguara nga lufta në Ish-Jugosllavinë Gjykatat Ndërkombëtare, ndërsa ne kemi patur vetëm një problem, kapjen e Shtetit në mënyrë Mafjoze nga Edi Rama”, u shpreh ai.
Një ditë më parë, Shqipëria hapi grupkapitullin e parë me Bashkimin Evropian, duke hapur një kapitull të ri për vendin tonë në rrugëtimin evropian.