“Hasan Preza, ashiku i kangës…”, libri më i ri i autorit Nadir Erkoçi trajton një prej figurave të ahengut shkodran
Repertori i këngës qytetare shkodrane është shumë i pasur dhe i larmishëm. Një rol të rëndësishëm në këtë repertor kanë luajtur këngët e ahengut shkodran, të cilat kanë shoqëruar dhe vazhdojnë të shoqërojnë ditët më të rëndësishme të jetës së çdo shkodrani.
Për të janë shkruar sa e sa libra. “Hasan Preza, ashiku i kangës popullore qytetare” është libri që autori i saj, Nadir Erkoçi i ka dedikuar jo thjesht ahengut, por në mënyrë të veçantë grupit popullor të Dudasit dhe veprimtarisë së tyre.
Libri shërben edhe si një dokumentim i gjithë asaj historie të pasur të trashëgimisë kulturore të qytetit, në mënyrë të veçantë për brezin e ri.
Autorit Nadir Erkoçi i është dashur të bëjë një punë të madhe hulumtuese nëpër familjet e pjesëtarëve të grupit dhe pasardhësve të tyre. Libri përmban histori, rrëfime dhe tekste këngësh e vallesh të kënduara.