Hasani: Ballkani të ketë orientim euro-atlantik, shqetësuese përpjekjet për destabilizim
Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka kërkuar që rajoni i Ballkanit të ketë një zë më të fuqishëm dhe orientim të qartë euro-atlantik, në një kohë që aktorë si Rusia kërkojnë të destabilizojnë rajonin përmes akteve të ndryshme.
Nga Podgorica, ku po zhvillon një vizitë zyrtare në Malin e Zi, ministri Hasani mbështeti rolin e faktorit shqiptar në rajon i orientuar drejt parimeve demokratike dhe europiane.
“I kushtuam rëndësi rolit të shqiptarëve në Malin e Zi si një element përbashkues i shoqërisë sonë, në lidhje me minoritetin shqiptar që i ka dhënë Malit të Zi por edhe minoriteti malazez në Shqipëri. Faktori shqiptar kurdoherë ka qenë i prirur drejt parimeve demokratike dhe vlerave evropiane. Luftërat në Lindjen e Mesme dhe agresioni rus në Ukrainë kanë pasur ndikim në rajonin e Ballkanit ku ndodhet sot në nivelet me delikate. Shqipëria dënon vendet si Rusia që tenton të destabilizojë rajonin. Për Shqipërinë, Ballkani duhet të ketë një orientim të qartë euro-atlantik,” tha Hasani në një konferencë për mediat.
Pjesë e takimit me homologun malazez Filip Ivanoviq (Ivanović), ministri Hasani tha se ishte edhe forcimi i bashkëpunimit dhe fqinjësia e mirë mes dy vendeve.
“Të avancojmë bashkëpunimin dhe projekte e shumta mes nesh. Mali i Zi është për Shqipërinë një partner me një rëndësi të veçantë ku modeli është ai i fqinjësisë së mirë dhe Shqipëria e konsideron një aleat të pazëvendësueshëm në NATO dhe rrugën drejt integrimit europian dhe marrëdhëniet tona kanë shënuar një progres të madh. Dialogu politik ka ardhur duke u shtuar,” tha Hasani.
Zbatimi i marrëveshjeve mes Shqipërisë dhe Malit të Zi ishin gjithashtu në fokus të takimit. Hasani tha se do i shërbejë jo vetëm rritjes së bashkëpunimit, por edhe tregut ekonomik rajonal.
“Zbatimi i marrëveshjeve të firmosura mes dy qeverive së bëra së fundit janë të rëndësishme. Një nga projektet më të rëndësishme është ndërtimi urës mbi lumin Buna që do nxis zhvillimin e dy vendeve dhe do i shërbejë më mirë qarkullimit rajonal të mallrave. Edhe ndërtimi i Autostradës Adriatiko-Joniane është një nga prioritetet tona strategjike. Shqipëria tashmë është gati për Konferencën e dytë Ndërqeveritare,” u shpreh ministri Hasani.
Vizita në Malin e Zi është pjesë e turit në rajonin e Ballkanit, ku ministri i Jashtëm Igli Hasani e nisi më 16 janar nga Kosova dhe më pas në Maqedoninë e Veriut, ku i konsideroi shqiptarët si faktor stabiliteti.