Hasani: Gati për Konferencën e Dytë Ndërqeveritare Shqipëri-BE, presim hapjen e negociatave
Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka zbuluar të shtunën synimin e Shqipërisë si vend i parë organizator jashtë BE-së i Samitit të Procesit të Berlinit, qëllimin e vendit për të konkretizuar kërkesat dhe mbështetjen BE-Ballkan drejt një zgjerimi real të kontinentit politik.
Në takimin e shoqërisë civile për këtë iniciativë, ministri i Jashtëm shpalosi si objektivin për të mbajtur konferencën e dytë ndërqeveritare me BE-në brenda këtij viti.
“Ne presim hapjen e negociatave për grupkapitullin e parë në konferencën e dytë ndërqeveritare deri në fund të këtij viti….Së dyti, paralelisht me procesin e negociatave duhet të përcaktohet axhenda e re të BE-së për të përparësuar rajonin tonë dhe angazhimin e Be-së me të. Ne synojmë ta bëjmë këtë temë kryesore të samitit të procesit të Berlinit më 16 tetor”, tha Hasani.
Folës nga shoqëria civile, por edhe autoritete të rajonit adresuan përshtatjen e formatit europian të votës unanime në votë me shumicë për të lejuar zgjerimin.
Po ashtu në fokusin e diskutimeve të përfaqësuesve të lartë të administratës europiane u veçua pritmëria për planin e ri ekonomik nga BE për Ballkanin i paralajmëruar të shpallet në Samitin e Procesit të Berlinit.