Hasani në Estoni: Të forcojmë bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe inovacionit
Ministri i Jashtëm Igli Hasani po zhvillon një vizitë zyrtare në Estoni, ku do të marrë pjesë edhe në konferencën “Lennart Meri” që mbahet në Talin, ku në fokus të debatit është situata e sigurisë në rajon, Evropë dhe më gjerë.
Gjatë vizitës së tij ai ka zhvilluar takime me Kryeministren Kaja Kallas, homologun Margus Tsahkna dhe kryetarin e Komitetit të Politikës së Jashtme në Parlamentin e Estonisë, Marko Mihkelson.
Në fokus të bisedave ka qenë pikërisht forcimi i bashkëpunimit në fushën e sigurisë dhe inovacionit, në një kohë kur bota po përballet me shumë sfida.
“Diskutuam zhvillimet aktuale në Ballkanin Perëndimor dhe rajonin e Balltikut, duke u fokusuar në mënyrat e mundshme për të përmirësuar bashkëpunimin tonë dypalësh dhe shumëpalësh në organizatat ndërkombëtare dhe si aleatë të NATO-s veçanërisht në fushat me interes të përbashkët duke përfshirë sigurinë, inovacionin, dixhitalizimin dhe teknologjinë. Mirënjohje Estonisë për mbështetjen e vazhdueshme për procesin e integrimit të Shqipërisë dhe Ballkanit Perëndimor në BE”, shkruan ministri Hasani në facebbok.
Konferenca “Lennart Meri” është një takim vjetor i ekspertëve të sigurisë dhe politikëbërësve ku ofrohen platforma për diskutime mbi çështjet kritike të jashtme dhe të sigurisë rajonale dhe globale. Diskutimet fokusohen në nevojën urgjente për veprim në një botë që përballet me sfida të shumta sigurie. Lufta në Ukrainë, tensionet e vazhdueshme në Lindjen e Mesme dhe një luftë në rritje për pushtet Indo-Paqësor kërkojnë të gjitha një përgjigje proaktive dhe të koordinuar nga Perëndimi.