Hasani në Kroaci: Integrimi i Shqipërisë në BE nuk mund të pengohet nga asnjë individ i vetëm
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani në fjalën e tij në Forumin e Dubrovnikut, theksoi se ne, në Ballkanin Perëndimor duhet të fillojmë të sjellim në tryezë zgjidhje, të gjejmë një mënyrë për të ecur përpara nga të gjitha problemet që na pengojnë, çka do të sjellë më shumë prosperitet, paqe dhe siguri për këtë rajon”.
“Sa i përket Shqipërisë, vijoi ai, nuk ekziston asnjë “pasiguri” apo “dyshim”. Dhe as justifikim për ata që duan të bllokojnë. Ne po i përmbushim detyrat tona të shtëpisë për të filluar negociatat për kapitujt dhe nuk duhet të lejojmë asnjë individ të hyjë në axhendën dypalëshe të një vendi. Shqipëria dhe partnerët e saj kanë investuar shumë në reformën e sistemit të drejtësisë dhe ajo ka filluar të krijojë besim me vendimet e saj. Njerëzit kanë nevojë për shpresë dhe ne do të përpiqemi të sjellim shpresë, përmes rezultateve.
Dhe ka diçka që duhet ta kujtojmë gjithmonë: Komuniteti Evropian u krijua për të lënë pas luftërat e së kaluarës dhe për të krijuar një të ardhme që u përket të gjithëve”, tha kryediplomati shqiptar gjatë panelit me temë: “Ballkani Perëndimor – Zhbllokimi i potencialit të reformës”.
Ministri Hasani theksoi se përveç procesit të integrimit në BE ka edhe elementë të tjerë për sukses, siç është Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor për konvergjencën e mëtejshme ekonomike dhe integrimin gradual.
Gjatë qëndrimit njëditor në Dubrovnik, Ministri Hasani u takua me homologë të Turqisë, Sllovenisë, Armenisë dhe shkëmbeu mendime me kolegë të tjerë e përfaqësues të lartë të BE-së, me të cilët u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe dhe zhvillimet në rajon.