Hasani në takimin e Ministrave të Jashtëm të NATO-s: Ballkani Perëndimor duhet të marrë vëmendjen që meriton
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, mori pjesë në takimin informal të Ministrave të Punëve të Jashtme të NATO-s, takim ky i cili u zhvillua në Pragë (Republika Çeke) në datat 30 – 31 maj 2024.
Ky është takimi i fundit në nivel të Ministrave të Jashtëm në parapërgatitje të Samitit të Uashingtonit, që shënon dhe 75-vjetorin e Aleancës.
Ministri Hasani, rikonfirmoi përkushtimin e palëkundur të Shqipërisë ndaj NATO-s, theksoi gjithashtu domosdoshmërinë që NATO mos të largojëvëmendjen e saj nga rajoni i Ballkanit Perëndimor, pasi kjo kontribuon në paqen dhe stabilitetin e rajonit tonë.
“Samiti i NATO-s në Uashington, duhet t’i japë Ballkanit Perëndimor vëmendjen që meriton, veçanërisht përballë sfidave të jashtme të sigurisë.
Në takimin e sotëm jozyrtar të Ministrave të Jashtëm të NATO-s në Pragë 🇨🇿, rikonfirmuam mbështetjen tonë të palëkundur për Ukrainën e lirë dhe sovrane dhe angazhimin tonë për të forcuar parandalimin dhe mbrojtjen tonë kolektive.
Shqipëria mbetet e vendosur për të luajtur rolin e saj si aleate e palëkundur e vlerave euroatlantike”, theksoi Ministri Hasani, pas takimit.
Ministrat aleatë trajtuan progresin e vendimeve të marra në Samitin e Vilniusit, të cilat synojnë që NATO të vijojë të ruajë paqen, të parandalojë konfliktet dhe të mbrojë popullatën dhe vlerat e territorit aleat, prioritetet e Samitit të Uashingtonit dhe veçanërisht vijimin e ndihmës për Ukrainën.
Ministrat e vendeve aleate u mblodhën në një sesion të vetëm informal, ku riafirmuan mbështetjen e tyre të palëkundur për Ukrainën dhe diskutuan se si mund të forcojnë mbështetjen e mëtejshme të Ukrainës në terma më afatgjatë.