Hasani pret ambasadorin Zannier: Shqipëria e vendosur të zbatojë rekomandimet e OSBE/ODIHR

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani ka mirëpritur sot në zyrën e tij ambasadorin Lamberto Zannier, kreun e Misionit të Vëzhguesve të OSBE/ODIHR për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të 11 Majit që do të zhvillohen në Shqipëri.
Në këtë takim kreu i diplomacisë shqiptare ka nënvizuar se Shqipëria është e vendosur për të zbatuar rekomandimet e OSBE/ODIHR-t për zgjedhjet e përgjithshme parlamentare.
“Shqipëria vlerëson fort asistencën e OSBE/ODIHR gjatë proceseve zgjedhore dhe ne mbetemi të vendosur për të zbatuar rekomandimet, duke shfrytëzuar njëkohësisht ekspertizën dhe ndihmën e tij”, u shpreh Hasani.
Hasani e ka konsideruar angazhimin e vendit tonë për të organizuar zgjedhje të lira, të ndershme dhe transparente, në përputhje të plotë me standardet e OSBE/ODIHR.
Shqipëria mbetet një mbështetëse e palëkundur e mandatit të ODIHR dhe rolit që ai luan në mbrojtjen e lirive themelore.