Hasani takim me drejtorin e OPCW: Shqipëria e palëkundur kundër kërcënimeve kimike
Ministri i Jashtëm Igli Hasani ka zhvilluar një takim me drejtorin e përgjithshëm të Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike (OPCW), Fernando Arias në Hagë.
Në fokus të takimit ishte forcimi i sigurisë globale, përmes masave efektive të mospërhapjes së armëve kimike.
“Rikonfirmova angazhimin e palëkundur të Shqipërisë kundër kërcënimeve kimike, përmes bashkëpunimit ndërkombëtar, si vendi i parë që ka shkatërruar plotësisht të gjitha armët e saj kimike, rreth 20 vjet më parë”, tha Hasani.
OPCW, organi zbatues i Konventës së Armëve Kimike, me 193 shtetet e saj anëtare, mbikëqyr përpjekjet globale për të eliminuar në mënyrë të përhershme dhe të verifikueshme armët kimike.