Hasani takohet me Zelensky: Riafirmojmë angazhimin tonë për një partneritet të qëndrueshëm
Ministri i Jashtëm, Igli Hasani zhvilloi një takim të shtunën (18 janar) me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky. Përmes një postimi në rrjetin soxial X, ministri bën të ditur se gjatë takimit shkëmbyen instrumentet e ratifikimit të Marrëveshjes së Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë si edhe nënshkruan një Memorandum Mirëkuptimi, të fokusuar në bashkëpunimin në integrimin evropian.
Për ministrin, këto hapa përfaqësojnë progres të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve midis vendeve dhe riafirmojnë angazhimin e Shqipërisë për një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm.
“Takime produktive në Kiev me Presidentin Volodymyr Zelenskyy, Kryetarin e Parlamentit Ruslan Stefanchuk, Kryeministrin Denys Shmyhal, zv/kryeministren Olga Stefanishyna dhe Ministrin e Jashtëm Andrii Sybiha.
Shkëmbyem instrumentet e ratifikimit të Marrëveshjes së Miqësisë dhe Bashkëpunimit ndërmjet Ukrainës dhe Shqipërisë dhe nënshkruam një Memorandum Mirëkuptimi, të fokusuar në bashkëpunimin në integrimin evropian.
Këta hapa përfaqësojnë progres të rëndësishëm në forcimin e marrëdhënieve midis vendeve tona dhe riafirmojnë angazhimin tonë për një partneritet të fortë dhe të qëndrueshëm. Shqipëria qëndron me vendosmëri me Ukrainën në rrugën e saj drejt paqes, sigurisë dhe të ardhmes evropiane”, shkruan ministri.
Ministri i Jashtëm Igli Hasani ndodhet për një vizitë zyrtare në Kiev ku do të rikonfirmojë mbështetjen e palëkundur të Shqipërisë ndaj Ukrainës e cila prej afro 3 vitesh po përballet me agresionin rus.