Hasani takon Cameron në Këshillin Ministror të OSBE-së në Shkup

GAIpkv4W8AA6GKx 696x415 1
Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, po merr pjesë në takimin e 30-të të Këshillit Ministror të OSBE-së, që mbahet në Shkup të Maqedonisë së Veriut, në datat 30 Nëntor – 1 Dhjetor 2023.
Pak pas mbërritjes në Shkup, ministri Hasani është takur me Sekretarin e Jashtëm britanik, David Cameron.
“Kënaqësi të nisja angazhimin në Këshillin Ministror të OSBE në Maqedoninë e Veriut, me takim me Sekretarin e Jashtëm David Cameron. Diskutuam planet për avancimin e agjendës sonë dypalëshe dhe bashkëpunimin tonë të shkëlqyer për çështje shumëpalëshe”, nënvizoi Minstri Hasani në platformën X.
Konflikti Rusi-Ukrainë, dialogu Kosovë-Serbi, stabiliteti i paqes në rajon, ndryshimet klimatike, rinia dhe shoqëria civile do të jenë temat kryesore për të cilat do të diskutohet në takimin e Shkupit.
Maqedonia e Veriut mori kryesimin e OSBE-së në janar të vitit 2023, për t’ia kaluar atë Maltës për vitin 2024.