Hasani: Thellojmë bashkëpunimin me Çekinë. Ministri Lipavsky: BE, jo e plotë pa Shqipërinë

Ministri i Jashtëm Igli Hasani në një konfeencë të përbashkët me homologun e tij çek Jan Lipavsky shprehu angazhimin për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve mes dy vendeve.
Hasani ka falënderuar Çekinë për mbështetjen e palëkundur ndaj Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian.
“Ministri Lipavsky më rikonfirmoi mbështetjen e palëkundur të vendit të tij në këtë proces duke na ofruar dhe asistencë dhe ekspertizën e nevojshme. Sa i përket agresionit rus, riktheksuam përkrahjen tonë të palëkundur për popullin ukrainas në luftën e drejtë për mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit. Mbështetja jonë do vazhdojë e pandërprerë deri në arritjen e një paqeje të qëndrueshme.
Falenderoj mikun tim, për vizitën në tiranë dhe shpreh angazhimin tim personal për thellimin e mëtejshëm të marrëdhënieve tona në shërbim të interesave të dy popujve dhe zhvillimit të një bashkëpunimi sa më ngushtë”, deklaroi Hasani.
Nga ana e tij, ministri Lipavsky garantoi mbështetjen e plotë të vendit të tij ndaj procesit integrues të Shqipërisë. Lipavsky u shpreh se Bashkimi Evropian nuk është i plotë pa Ballkanin Perëndimor e kryesisht Shqipërinë.
“Shqipëria është vend mik dhe aleat dhe kemi partneritet afatgjatë në shumë fusha. Kemi marrëdhënie të shkëlqyera dypalëshe e natyrisht këmbim tregtar të ndërsjellët. 110 mijë turistë cek që vizitojnë Shqipërinë çdo vit.
Çekia ka qenë mbështetëse e fortë e integrimit që s’mund të jetë i plotë pa Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor.
I lumtur të nisnim bisedimet me Shqipërinë gjatë presidencës çeke në korrik të 2022.
Keni mbështetjen tonë të plote në ambicien për të mbyllur bisedimet e anëtarësimit deri në 2027 për të qenë gati për të qenë anëtarë të BE në 2030-ën. Do promovojmë bashkëpunimin në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes. Do të hapim një forum sektorial biznesi me kompanitë e interesuara dhe institucionet nga të dyja vendet”, u shpreh ai.