Hashim Thaçi ngushëllon nga Haga familjarët e rreshterit të vrarë Afrim Bunjaku

hashim thaci 27
Ish-presidenti Hashim Thaçi i cili ndodhet në Hagë ka shprehur ngushëllimet familjes së rreshterit Afrim Bunjaku i cili ra në krye të detyrës përballë grupeve serbe.
Lajmin e ka bërë të ditur nënkryetari i Komunës së Skenderajt, Sami Lushtaku, teksa ka vizituar familjen e rreshterit Afrim Bunjaku.
Sipas tij, familjen e rreshteritBunjaku e ka ngushëlluar ish-presidenti Hashim Thaçi, nëpërmjet telefonit nga Haga.
“Me miq, bashkëpunëtorë e bashkëluftëtarë, vizituam familjen e heroit Afrim Bunjaku, për të shprehur ngushëllimet më të thella për sakrificën e heroit më të ri të Republikës, i cili ra heroikisht në mbrojtje të sovranitetit të shtetit të Kosovës.
Nga Haga, përmes telefonit, familjarët e Afrimit i ngushëlloi edhe Presidenti Hashim Thaçi, i cili është prekur thellësisht nga rënia e tij, duke shprehur mirënjohje për sakrificën e lartë të tij në shërbim të atdheut. Ngushëllimet më të thella familjes Bunjaku, miqve dhe dashamirëve! Lavdi veprës së heroit Afrim Bunjaku!”, ka shkruar ai.

Bunjaku ra në krye të detyrës nga një grupi armatosur terrorist serb në Banjskë të Zveçanit. Në këtë sulm terrorist kundër Policisë së Kosovës, ka marrë pjesë edhe nënkryetari i Listës Serbe, Milan Radojçiq.
Nga ana e saj, si kundërpërgjigje Policia e Kosovë eliminoi katër terroristë serbë, disa të tjerë janë arrestuar dhe shumë prej tyre, përfshirë edhe Radojçiqin arritën të arratisen.