Hedhja e granatës në veri/ Zveçla: Grupet kriminale u urdhëruan nga Vuçiqi
Policia e Kosovës ka arrestuar 3 qytetarë serbë për krime të kryera ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë. Këta persona dyshohet gjithashtu si bashkëpunëtorë në tortura, plagosje, vrasje, dëbim, dhe masakra ndaj shqiptarëve në Vushtrri, fshatrat përreth dhe në Burgun e Smrekovnicës.
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Zveçla ka deklaruar se në shenjë revolte ndaj arrestimit të tyre, grupe kriminale kanë hedhur mbrëmjen e djeshme (21 shtator) granatë dore ushtarake në Lagjen e Boshnjakëve.
Sipas tij, ky ka qenë urdhër i presidenti serb Aleksandar Vuçiq (Aleksandar Vucic).
“Krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë do të ndiqen deri në fund ndërsa hedhja e granatës ushtarake të dorës nga grupet kriminale nuk mund të zmbrapsë drejtësinë.
Nga njësitë relevante të Policisë së Kosovës pas një angazhimi të gjatë e me dyshime të bazuara, janë arrestuar 3 qytetarë serbë për krime të kryera ndaj popullatës civile gjatë luftës në Kosovë. Të njëjtit dyshohet të kenë qenë bashkëpunëtorë në tortura, plagosje, vrasje, dëbim, dhe masakra ndaj shqiptarëve në Vushtrri, fshatrat e saj përreth dhe në Burgun e Smrekovnicës.
Në shenjë revolte ndaj arrestimit të këtyre personave, si mesazh ndaj drejtësisë sonë dhe me qëllim të shkaktimit të terrorit tek qytetarët tanë, grupe kriminale mbrëmë kanë hedhur granatë dore ushtarake në Lagjen e Boshnjakëve”, tha ai.