Hekurudha “kuqezi” – Ka përfunduar studimi i fizibilitetit për hekurudhën Durrës-Shkodër-Prishtinë

Linja hekurudhore Durrës-Prishtinë është një projekt strategjik që synon të lidhë Shqipërinë me Kosovën përmes një hekurudhe moderne.
Ajo pritet të kalojë pjesërisht në gjurmën ku do të ndërtohet hekurudha Vorë-Hani i Hotit.
Kjo e shtunë ka nisur me lajmin pozitiv për Shkodrën dhe zhvillimin e saj si qendër e rëndësishme rajonale pasi ka përfunduar studimi i fizibilitetit për projektidenë e hekurudhës kombëtare Durrës-Shkodër-Prishtinë.
Jehonë këtij lajmi i bëri edhe kryebashkiaku Beci përmes statusit në rrjetet e tij sociale.
“Pas raportit të ekspertëve, tashmë i hapet rrugë realizimit të kësaj vepre infrastrukturore, një prej më të rëndësishmeve për kombin, e cila kalon nga Shkodra dhe lidh Shqipërinë me Kosovën”, përfundon statusi i kryetarit Beci.
Hekurudha që lidh Durrësin me Prishtinën, ka rëndësi jo vetëm si një transport komercial të rëndësishëm, që do të lidhë portin e Durrësit me portin e thatë të Prishtinës, por edhe si një transport alternativ që do të lidhë udhëtarët e shumtë midis dy vendeve.
Kjo hekurudhë nuk bën pjesë në korridoret e transportit evropian, si rasti i segmenteve Vorë- Hani i Hotit apo Durrës-Pogradec, megjithatë dy qeveritë e Shqipërisë dhe Kosovës kanë shprehur angazhim dhe me përfundimin e studimit të fizibilitetit, pritet të hapet gara ndërkombëtare për të nisur menjëherë ndërtimin e kësaj hekurudhe që është cilësuar si një ëndërr e madhe e mbetur pa realizuar.