Hekurudha shqiptare do të ndahet në dy shoqëri aksionare
Sektori hekurudhor shqiptar do të ndahet në dy shoqëri aksionare. Kështu është përcaktuar në projektligjin më të fundit të nxjerrë për konsultim publik. Ky ndryshim bëhet me qëllim nxitjen investimeve të huaja dhe projekteve të financuara nga BE.
Shoqeria e pare me emertimin “Administratori i Infrastrukturës Hekurudhore” do të ketë nën administrim shinat, stacionet dhe do të mundësojë veprimtarinë e çdo transportuesi hekurudhor, privat apo shtetëror, të huaj apo vendas, për transport mallrash apo pasagjerësh.
Ndërsa Shoqeria e dyte me emertimin “Sipërmarrësi Hekurudhor” do ketë për detyrë sigurimin e transportit, si dhe mirëmbajtjen e mjeteve lëvizëse.
Ky ndryshim ligjor vjen pas rekomandimeve te bere gjate procesit “Screening” me Bashkimin Evropian dhe eksperiencës së vendeve fqinje me transportin hekurudhor. Ndarja në dy shoqëri aksionere synon të përmbushë kërkesat e Direktivës së BE për krijimin e një zone të vetme evropiane hekurudhore.
Dy shoqëritë e reja regjistrohen në Qendrën Kombëtare të Biznesit, brenda 6-muajve nga miratimi i raporteve përfundimtare të ekspertëve të caktuar nga ministri përgjegjës për transportin hekurudhor. Por per një periudhë 12-mujore nga regjistrimi i dy shoqërive në QKB, Shoqëria “Hekurudha shqiptare” sh.a, do të vijojë të kryejë funksionet dhe përgjegjësitë e duke mbikëqyrë veprimtarinë e dy shoqërive të reja dhe përmbushjen e përgjegjësive të përcaktuara sipas këtij ligji. Ky projektligj nuk parashikon te shoqërohet me efekte financiare për buxhetin e shtetit.